Leonard Shakaj, i arrestuar në Vlorë për llogari të autoriteteve italiane në kuadër të operacionit ‘Ura’ për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, kryesisht kokainë dhe heroinë nuk është një personazh i panjohur, të paktën në Shqipëri.
Nga informacionet rezulton se Leonard Shakaj, i cili u arrestua në Vlorë gjatë këtij operacioni, rezulton të jetë djali i kreut të Njësisë Administrative Novoselë.
Sipas informacioneve, Leonard Shakaj, një personazh i botës së krimit ka punuar me drejtuesin politik të PS në Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknurin për llogari të socialistëve.
Burime bëjnë me dije se trafikanti i narkotikëve, Leonard Shakaj ka qenë gjatë gjithë kohës në fushatën e PS në zgjedhjet e 11 majit, si numërues dhe vëzhgues gjithashtu.
Përfshirjen e tij në fushatën elektorale të PS në Vlorë, si duket askush nuk e ka pikasur, pasi është një tregues i qartë se përse urdhër-arrestet ndaj trafikantëve shqiptarë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, nuk u ekzekutuan përpara zgjedhjeve të 11 majit, edhe pse ato u lëshuan më 30 prill nga GJJKO pas kërkesës së SPAK që më 19 mars.
Përfshirja e botës së krimit në fushatën e PS, nuk është rast sporadik, pasi tashmë edhe opozita ka akuzuar vazhdimisht Ramën se ka siguruar vota përmes bandave kriminale dhe falë mbështetjes së tyre./Syri.net