Ish-presidenti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë shpallur zyrtarisht të pandehur nga SPAK, pas përfundimit të hetimeve për çështjen e lobimit në SHBA dhe aferën e njohur si CEZ-DIA.
Në një prononcim për “MCN Live”, avokati dhe juristi i njohur Besart Logu e cilësoi të palogjikshme dhe të pajustifikueshme marrjen në përgjegjësi penale të një lideri partie për një çështje të natyrës teknike dhe financiare si lobimi.
“Nuk është funksioni i kryetarit të një partie të merret me deklarime financiare apo marrëdhënie kontraktuale.
Kjo është përgjegjësi e personave të tjerë, si sekretari organizativ, drejtori financiar apo përfaqësuesit ligjorë.
Procedimi penal ndaj Metës dhe Kryemadhit duket i motivuar politikisht dhe i kohëzuar qëllimisht menjëherë pas zgjedhjeve të 11 majit, për të zhvendosur vëmendjen nga akuzat për manipulim të procesit zgjedhor dhe përfshirjen e grupeve kriminale në votime.
Në vend që të merremi me pretendimet e rënda për zgjedhjet, vëmendja orientohet tek një çështje e disa viteve më parë, ndërkohë që mungon lidhja direkte e Metës me aktet konkrete që janë objekt hetimi.”
Logu argumenton se përgjegjësia penale është personale, dhe se nuk mund të aplikohet një logjikë kolektive, ku kryetari i një partie mban përgjegjësi edhe për veprime që mund të kenë kryer zyrtarë të tjerë, përfshirë zëdhënës, administratorë financiarë apo të tretë.
“Kryetari i një partie politike është një figurë përfaqësuese, politike, jo një administrator teknik.
Nuk mund ta bëjmë përgjegjës penalisht për çdo kontratë, pagesë apo mosdeklarim që ndodh në strukturat e partisë.
Kjo është një qasje jo vetëm jologjike, por edhe e rrezikshme në aspektin e shtetit ligjor. Nuk mund të përgjigjesh për veprime që s’i ke kryer vetë.”