Kraja: Përdorimi i logos së samitit nga ana e PS skandal diplomatik. Edi Rama po shfrytëzon asetet publike në periudhë fushate.

Akil Kraja, anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike njëkohësisht Shefi i Kabinetit të Kreut të PD, në një deklaratë për mediat ka denoncuar përdorimin e logos kryesore të fushatës elektorale të Partisë Socialiste, duke e cilësuar këtë si një abuzim të qartë me financat publike dhe si një rrezik për të shkaktuar një incident diplomatik.

Kraja theksoi se kjo logo, e stilizuar në formën e një ylli, është identike me logon zyrtare të Samitit të Komunitetit Politik Europian, që do të zhvillohet së shpejti në Tiranë dhe ku përdorimi i një simboli të tillë për qëllime elektorale është një shkelje flagrante e çdo norme ligjore dhe diplomatike.

Deklarata e plotë e Akil Kraja:
Logoja kryesore e fushatës së Partisë Socialiste është në kufijtë e një abuzimi me financat publike në rastin më të keq, dhe në pragun e prodhimit të një incidenti diplomatik, në rastin më të mirë.

Në takime elektorale, në daljet në terren apo në media kombëtare, Edi Rama dhe kandidatët e tjerë të Partisë Socialiste, shfaqen publikisht duke promovuar numrin e tyre në fletën e votimit nëpërmjet një logoje të stilizuar në formën e një ylli.

Një logo e cila në fakt rezulton të jetë logoja zyrtare e Samitit të Komunitetit Politik Europian, që do të zhvillohet në Tiranë së shpejti.

Ky përbën një skandal diplomatik të pahasur më parë në republika demokratike, e që mund të ndodhë veçse në shtete autoritare ku çdo vendimmarrje është e mbledhur në një dorë të vetme.

Prej vitesh Partia Demokratike denoncon shfrytëzimin e aseteve publike për qëllime elektorale, duke shkelur ligjet shqiptare në fuqi. Sot erdhi radha e Bashkimit Europian për t’u bërë dëshmitarë sesi Edi Rama keqpërdor çdo lloj aseti publik apo europian, sado i vogël apo i madh qofte ai, në shërbim të interesave të tij elektorale.

Nëse logoja dhe materialet e tjera të samitit të Komunitetit Politik Europian janë paguar nga taksapaguesit shqiptarë, përdorimi i tyre për qëllime elektorale nga Edi Rama, përben qartazi një abuzim dhe shkelje ligjore të kodit zgjedhor.

Por dhe nëse këto kosto janë të ndara me partnerët europianë, sërisht përdorimi i aseteve të komunikimit të këtij samiti nga ana e Edi Ramës me qëllime elektorale, përbën një shkelje flagrante të çdo protokolli bashkëpunimi diplomatik.

Abuzimi me logon e takimit të Komunitetit Politik Europian është një rast jashtëzakonisht simbolik dhe material për mënyrën sesi financat publike keqshfrytëzohen nga Edi Rama në shërbim të objektivave të tij elektorale.
Bashkimi Europian, ashtu si për fondet IPARD, para të takspaguesve europianë, duhet të shprehet edhe për fondet e keqpërdorura për Samitin, fonde të taksapaguesve shqiptarë.

Shpërndaje