Nga Armand Shkullaku
Në ditët e fundit të fushatës, Edi Rama po shpërfaq një të papërmabjtur mllef ndaj kujdo që vë në pikëpyetje rezultatet e sondazheve që e nxjerrin atë dhe Partinë Socialiste fitues. Ky shkulm kundër komentuesve dhe gazetarëve, të lirë për t’i analizuar sipas këndvështrimit të tyre shifrat elektorale, ndonëse i palejueshëm, mund të kuptohej nëse do të vinte nga opozita. Por jo. Ai buron nga koka dhe goja e kryeministrit, duke lënë shijen e një lajthitje mbi objekt.
Pse e shqetësojnë Edi Ramën komentet mbi sondazhet, kur ato që kanë rëndësi janë shifrat elektorale? Normalisht do të duhej të ndihej i qetë përsa kohë anketimet janë në përputhje me pritshmëritë e tij. Ai thotë se do të korrë një fitore historike, madje e ka projektuar me atë të vitit 1997 kur ai ishte emigrant në Francë, dhe shifrat larushane në shumë ekrane e mbështesin optimizmin e tij. Rama thotë se sondazhet paraqesin realitetin, se ai nuk ka kundërshtarë, se është i vetmi që shqiptarët i besojnë etj, etj. Atëherë përse duhet t’i acarojë nervat delikate me ata që vënë në pikëpyetje shifrat kur ai vetë e di rezultatin?
Duke lënë mënjanë probabilitetin e lajthitjes, logoreja e kryeministrit kundër gazetarëve, para syve të çmeritur të qytetarëve, mund të shpjegohet me faktin se ai është i ndërgjegjshëm se çfarë janë ato sondazhe dhe se, çdo analizë objektive e tyre, ia rrëzon propagandën e qeverisjes së suksesshme. Për të mos folur për ato ekrane, që dikur bënin anketime se italianët donin për kryeministër Edi Ramën, edhe sondazhet që nisen nga premisa profesionale paraqesin anomali serioze. Këtë Rama e di shumë mirë, prandaj i prishet qetësia kur i tregojnë, se ai vetë thotë se nuk i sheh, komentet që bëhen për shifrat e tij elektorale.
Një shoqëri që kur testohet nga sondues ndërkombëtarë për çështje jo politike, rezulton më e pakënaqura në rajon me qeverisjen dhe pastaj goxha më e kënaqur kur pyetet në prag të zgjedhjeve nga anketues lokalë, dëshmon frikën dhe pasigurinë e kësaj shoqërie që qeveriset në mënyrë arbitrare për 12 vjet nga një njeri i vetëm. Kryeministri e di që sondazhet, ndonëse i shkojnë sipas midesë, nuk e kapin këtë deformim të një shoqërie që nuk është e lirë dhe që nuk lejohet të votojë e lirë. Shqetësimi i tij lidhet pikërisht me faktin, se çdo koment, analizë apo kritikë që e vë në pah këtë deformim, mund të zgjojë kundërreagim të qytetarëve. Frika dhe pasiguria nuk mund të zgjasin përjetësisht.