Drejtuesja politike e PD për diasporën, Jozefina Topalli, deklaroi sot në “Kafe Shqeto” në Syri TV se sondazhet i fiton ai që i paguan, por sipas saj, kjo nuk mashtron më askënd. Ajo solli si shembull rastin e SHBA-ve, ku Kamala Harris rezultonte fituese në sondazhe, por rezultati përfundimtar tregoi të kundërtën.
Topalli u bëri thirrje shqiptarëve jashtë vendit që të mos e humbasin mundësinë për të votuar dhe të bëhen pjesë e ndryshimit në Shqipëri. Ajo theksoi se vota përmes zarfit ka peshë dhe fuqi për të sjellë kthesën që vendi ka nevojë. Duke denoncuar presionet ndaj votuesve në administratë, ajo u kujtoi qytetarëve se fotografimi i votës është i paligjshëm dhe i dënueshëm. Sipas saj, vota është e fshehtë dhe nuk mund të lexohet apo deformohet nga askush.
Topalli: Ai që paguan sondazhet, ai del ‘më i bukuri’, edhe me diferencë, gjë të cilën ai përpiqet ta shfrytëzojë, por memoria jonë nuk është aq e shkurtër, sa të mos kujtojmë atë që ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku gjithmonë fituese dilte Kamala Harris dhe pastaj rezultoi që ai kishte diferencën në humbje më të madhe që kishin pasur në 20 vitet e fundit kandidatët që kishin humbur zgjedhjet.
Të gjitha janë strategji që kundërshtari politik i zgjedh, por ndërkohë unë besoj dhe dua ta them, më lejoni t’ju them shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë që 2025 është viti juaj, ky është momenti juaj, zarfi që ju vjen në shtëpi, fleta e votimit që ju vjen në shtëpi, ato kanë një peshë, kanë një zë, kanë një fuqi të jashtëzakonshme për të bërë ndryshimin që Shqipëria ka nevojë.
Ndaj, dhe keni mundësinë për të mos humbur kohë, për të votuar numrin 1, dhe për t’u bërë pjesë e një ndryshimi për të cilin ju do të jeni krenar dhe në një moment të caktuar të jetës suaj ju do të thoni; unë kontribuova për kombin tim në një moment kur ishte thelbësore për të marrë një kthesë të jashtëzakonshme në drejtimin e duhur’.
Dua t’ju them që nëse dikush i detyron që ata të fotografojnë apo të marrin me video votën e tyre për shkak të presionit që i bëjnë familjarë në administratën këtu, ata sigurisht janë njerëz të lirë dhe nuk e bëjnë një gjë të tillë, por sigurisht që duhet ta dinë që është edhe një shkelje e ligjit dhe kjo dënohet.
Ndërkohë dua t’ju them që të mos kenë asnjë frikë, që pasi të votojnë për numrin 1, dhe ndryshimin e madh në vendlindjen e tyre, vota e tyre nuk mund të lexohet dhe nuk deformohet.
Kështu që ju lutem mos humbni kohë dhe votoni tek zarfi që ju ka mbërritur apo do ju mbërrijë në shtëpi, keni edhe një sqarues ku ju tregon që ju mund të merrni në telefon numrin sqarues që keni fletën e votimit në vendin përkatës dhe kështu mund t’ju vijë nga DHL personi i duhur i cili individualisht duhet t’ju dorëzojë dhe do t’ju marrë zarfin.