Studimi i ISP, “Harta e Riskut Elektoral”. Ja zonat e nxehta dhe ndikimet informale në zgjedhje.

Harta e Riskut Elektoral (HRE) ka funksion paralajmërues dhe orientues, si dhe është hartuar nga ekspertët e ISP-së me synimin për të prezantuar vlerësimet dhe risqet e mundshme elektorale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare 2025. Sistemi i vlerësimit dhe krijimit të HRE është aplikuar që prej zgjedhjeve të vitit 2015, si dhe në tërësi ka rezultuar i saktë.

Harta ka qëllim sensibilizues, informues dhe orientues për vëzhguesit vendor/të huaj dhe organet ligjzbatuese. Harta nuk konfirmon shkelje të standardeve zgjedhore dhe as zona ku do të ketë konflikt/incidente apo devijim të votës, por paralajmëron se ku mund të ketë dhe kështu, ndihmon në parandalimin e çdo forme të abuzimit me votën dhe të cenimit të standardeve.

ISP uron që Shqipëria më 11 maj të mos ketë asnjë incident apo abuzim zgjedhor, por nga ana tjetër, ISP vlerëson se është detyrë dhe përgjegjësi profesionale dhe qytetare për të ndikuar për një proces zgjedhor me integritet, transparent, konkurrues dhe të ndershëm. Harta e riskut zgjedhor është një kontribut konkret për këtë.

Metodologjia e hartimit të HRE bazohet në disa tregues cilësor dhe sasiorë, përfshirë tradita e zgjedhjeve në bashkitë dhe zonat elektorale, cilësitë e kandidatëve për deputetë të partive pretenduese, rolin e grupeve kriminale në zona, në stafet elektorale dhe fushatë, rolin e biznesmenëve dhe individëve “të fortë” me ndikim në zonë, rolin e financimeve informale, votës klienteliste, trafikimit të votës, tensionet paraelektorale, rivaliteti mes partive dhe shanset për rotacion, etj.

Stafi i ISP-së ka krijuar database me të dhëna për kandidatët, partitë, stafet elektorale, grupet informale mbështetëse të kandidatëve dhe partive, biznesmenët mbështetës, ndikimet klienteliste në zona, grupet kriminale, si dhe lidhjet informale e familjare midis kandidatëve dhe zonave përkatëse. Të dhënat e kryqëzuara ofrojnë një pasqyrë të situatës në zona, si dhe ndihmojnë për të kuptuar më mirë faktorët ndikues në votim dhe natyrën e fushatës elektorale.

Një parlament i ri me integritet moral dhe legjitimitet zgjedhor do të ishte pika historike e ndryshimit cilësor. Partitë zgjodhën rrugën e shkurtër, përsëritjen e gabimeve të së kaluarës. Sistemi i meritokracisë së brendshme nuk funksionoi, ato refuzuan verifikimin e hershëm të kandidatëve, si dhe ndoqën parimin e prurjeve të dyfishta nga biznesi, si kandidatë apo si delegim i anëtarëve në familje/biznes. Vota konkurruese “brenda familjes“ në listat e hapura të partive kryesore, riciklimi i partive klienteliste, sidomos në zonat e periferisë së qendrave të mëdha urbane (Durrës, Shkodër, Tiranë, Elbasan, etj), si dhe prurjet e shumëfishta financiare informale jashtë kanaleve zyrtare të deklaruara, janë disa prej tipareve kryesore të procesit zgjedhor. Sistemi patronazhist mbetet efektiv, si dhe qasja e fitores me çdo kusht ose minimizimit të humbjes në zonat rivale, është dominuese në sjelljen elektorale. Pyetjet retorike përse ende partitë kanë nevojë për mbështetje nga grupet informale, grupet kriminale apo prurjet e biznesit me sponsor politik apo anasjelltas, përse biznesmenët me suport politik, “të fortët“ dhe grupet kriminale duan të kenë ndikim dhe përfaqësim politik, janë edhe dëshmi e dështimit të elitave për politikë e politikanë të pastër, si dhe e zgjatjes edhe më tej të tranzicionit.

Në vlerësimin paraprak të ISP edhe në zgjedhjet parlamentare 2025 parimi mbetet i njëjtë: koncepti i pluralizmit konkurrues dhe programor është i brishtë, faktor përcaktues në zgjedhje janë ndikimet lokale dhe infrastruktura partiake mbështetëse për kandidatët. Brenda bashkive, përfshirë bashkive të mëdha, ekzistojnë zona ku vota trafikohet dhe sigurohet përmes sistemit të shkëmbimit dhe favoreve (financiar, në mall, klientelist, etj), si dhe ku grupet informale kanë ndikim më të madh sesa strukturat partiake.

Zgjedhjet 2025 janë vijim i zgjedhjeve të viteve 2021 dhe 2017, ku grupet kriminale kanë pasur përfshirje dhe ndikim të ndjeshëm në vendimmarrjet brenda partive politike (zgjedhjen e kandidatëve), si dhe sidomos në fushatë elektorale (orientimin e votës, neutralizimin e rivalëve politikë, sistemin e patronazhizmit klientelist mbi votuesit e lëkundur, etj).

Ndryshimi teknik në sistemin zgjedhor (listë e hapur për një të tretën e vendeve) ka krijuar dy fushata paralele: ajo midis partive me sistem proporcional dhe ajo brenda vetë kandidatëve të së njëjtës parti me sistem mazhoritar. Nevoja për mandate ose mbijetesë personale (zgjedhje/rizgjedhje) ka rikthyer masivisht lidhjet informale (lidhjet kriminale, financimet informale, ndikimet e individëve që kontrollojnë zona, ndikime të oligarkëve, etj).

Aplikimi i votës në diasporë paraqet sfidë më vehte, por duke qenë në pamundësi monitorimi dhe kontrolli nga KQZ-ja dhe Prokuroria (Prokuroria e Posaçme dhe ajo e Përgjithshme), risku i votës së diasporës mbetet i lartë, sidomos në ato pjesë të saj të kontrolluara përmes sistemit klientelist ose të patronazhizimit. ISP-ja nuk ka qenë në gjendje të monitorojë aktivitetet elektorale jashtë Shqipërisë, ndonëse ka pasur dhe ka raportime denoncuese për blerje të votave dhe ndikimeve të shumta informale). Për rrjedhojë, Harta e Riskut 2025 paraqet situatën brenda vendit, në 12 zona/qarqet dhe në 61 bashkitë e vendit.

Zonat me riskun më të lartë për vitin 2025

• Bashkia Elbasan dhe Durrës kanë koeficientin më të lartë të riskut, (87%), për shkak të ndërthurjes së shumë elementëve aty (ekzistenca e korrupsionit në nivele të larta, grupeve kriminale  me ndikim, lidhjeve të forta informale, nivelit të trafikimit të votës dhe rolit të individëve të fuqishëm ekonomikisht, si dhe traditës në 2-3 zgjedhjet e fundit parlamentare dhe lokale). Pas tyre dhe për të njëjtat motive vijnë bashkia Dibër, bashkia Lezhë, bashkia Kurbin, bashkia Shkodër, Fier etj. Në disa prej këtyre bashkive ekzistojnë zona ku vota trafikohet/devijohet prej vitesh nga individë apo grupe informale me ndikim të madh politik dhe financiar. Himara përbën përjashtim për shkak specifikash të tjera, kryesisht të lidhura me zgjedhjet e fundit lokale, kurse bashkitë e vogla si Shijaku, Bulqiza, Kukësi apo Mati kanë tipar të përbashkët ndikimin e grupeve informale apo kriminale, si dhe trafikun e infuencave.

• Zonat me riskun më të ulët elektoral janë kryesisht zonat tradicionale të specifikave të njëjta edhe me zgjedhjet e viteve 2015-2025. Të tilla janë Përmeti, Maliq, Konispol, Finiq, Dimal, Gramsh, Belsh, etj, zona të cilat nuk kanë krim të organizuar, nuk kanë individë të fuqishëm politikë dhe ekonomikë pas tyre, nuk kanë peshë të madhe elektorale dhe përbëjnë njësi vendore homogjene në përbërje dhe traditë.

KRITERET & TERMAT E REFERENCËS
Tabela e hartuar nga ekspertët e ISP-së pasqyron hartën e riskut zgjedhor bazuar në ndarjen administrative të vendit (bashkitë). Tabela paraqet klasifikimin e secilës zonë, treguesit e detajuara gjendën në tabelën e aneksit të këtij materiali. Klasifikimi është bërë sipas kritereve të sipërcituara dhe që në vijim më poshtë shpjegohen në mënyrë më të qartë dhe të përmbledhur. Secili komponent vlerësohet me 10 pikë, ku numri 10 është vlerësimi maksimal i treguesit dhe 1 është vlera minimale.

Të dhënat e mbledhura janë pjesëtuar me nivelin më të lartë të pikëve të marra (70) duke dhënë përqindjen e secilës bashki sipas riskut elektoral.

Shpjegues për treguesit mbi të cilët është bërë renditja/vlerësimi:
• Niveli i tensioneve politike në procesin zgjedhor
• Ndikim i grupeve kriminale në listë/në stafe dhe në fushatë
• Potencial për trafikim vote / ndikime të grupeve informale & “të fortëve”
• Potenciali për rotacion politik. Zonë bastion vs në ndryshim
• Biznesmenë aktivë si kandidatë ose sponsor personal në fushatë
• Hendeku në votë midis dy partive kryesore dhe roli i partive të tjera
• Tradita politike & potencial për konflikte të ndryshme politike lokale
• Interesi për të kontestuar rezultatin
• Akuza dhe incidente në zgjedhjet e mëparshme
• Niveli i keqpërdorimit të burimeve shtetërore & “shtetit” në fushatë

Dokumenti i plotë i analizës së zonave, faktorëve dhe impaktit të tyre të mundshëm elektoral, për shkak të të dhënave sensitive, është konfidencial dhe sigurohet vetëm përmes zyrës së ISP-së.
HRE bëhet në kuadër të projektit “Fuqizimi i integritetit të zgjedhjeve dhe i qëndrueshmërisë së partive politike”, loti “Forcimi i rolit monitorues dhe kërkesës së llogarisë nga qytetarët nëpërmjet shoqërisë civile, medias dhe mbështetjes akademike”, zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në partneritet me Institutin e Studimeve Politike (ISP), BIRN Albania dhe Qëndresa Qytetare(QQ), mbështetur financiarisht nga Ambasada Britanike. Pikëpamjet janë përgjegjësi vetëm e ISP-së.

Shpërndaje