Kreu i Partisë Demokratike, Prof.Dok. Sali Berisha priti në selinë e partisë shefin e Misionit të Vëzhguesve të ODHIR, Ambasadorin Lamberto Zannier, dhe analisten politike Júlia Manchin. Në takim u diskutua mbi pritshmëritë për procesin zgjedhor të 11 majit dhe nevojën për zgjedhje të lira, të ndershme dhe të monitoruara me standarde të larta ndërkombëtare.

Në këtë takim, Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ngriti shqetësimet e thella mbi mungesën e vullnetit të Edi Ramës për të respektuar Kodin Zgjedhor – një dokument që ai vetë e ka përçmuar si “kinezëri”, duke treguar qartë qasjen e tij për ta anashkaluar ligjin dhe standardet minimale të një procesi demokratik.
Blerja publike dhe e fshehtë e votës, shteti elektoral, përdorimi i strukturave kriminale dhe administratës publike janë mekanizmat që Rama ka institucionalizuar për të deformuar vullnetin e qytetarëve. Kjo nuk është zgjedhje – është abuzim me demokracinë.
Në takim u diskutua edhe roli i grave në politikë, përfshirë primaret e PD-së si një model i hapur dhe konkurrues, si dhe garantimi i kuotave gjinore sipas Kodit Zgjedhor – një standard që duhet zbatuar pa përjashtim.

Përfaqësuesit e ODHIR konfirmuan angazhimin për të ndjekur nga afër procesin zgjedhor me vëzhgues afatgjatë ndërkombëtarë, me qëllimin për të garantuar integritetin e zgjedhjeve dhe për të prodhuar një raport të drejtë, objektiv dhe të besueshëm për opinionin ndërkombëtar.
Partia Demokratike mbetet e vendosur në mbrojtje të votës së lirë dhe të drejtës së qytetarëve për të zgjedhur pa frikë dhe pa presion.