Ngjarja pranë PSD | Logu: Zyrat elektorale janë kthyer në zona extraterritoriale ku nuk vepron ligji.

Avokati Besart Logu, duke folur në MCN Live mbi ngjarjen pranë zyrës elektorale të PSD, tha se zyrat elektorale të partive në pushtet janë kthyer në zona ekstraterritoriale dhe mburoja të aktiviteteve kriminale.

Po ashtu ai theksoi se Lojërat e fatit janë një nga sektorët ku pastrohen shuma të mëdha parash të botës së krimit, brenda një kohe të shkurtër. 

Faktikisht reagimi ishte në formë ironie, sepse pikërisht në ditën kur z.Doshi deklaroi publikisht se do vazhdojë të mbajë në pushtet Ramën, një orë më pas ndodhi ngjarja në fjalë. Vlen për t’u theksuar se si zyrat elektorale përdoren si një zonë ekstraterritoriale, futen brenda në zyrë sepse ndiejnë siguri. 

Duket sikur ligji shqiptar s’funksionon në këto zyra. Konflikti ishte për bastet sportive. Ndërkohë që flasim për ndalim të lojërave të fatit, dhe gjithë opinion publik e di që personazhi lidhet me lojërat e fatit, ndodh ngjarja, dhe s’kemi reagim të Policisë së Shtetit. Janë disa ironi që krijojnë këtë panoramën e plotë të realitetit. 

Për më tepër është zona elektorale e Ministrit të Brendshëm. Motivi mund të jetë nga më i ndryshmi, elektoral, hakmarrje, gjakmarrje, çështje borxhesh. E rëndësishme është që ndodhi në një zyrë elektorale, që është zonë elektorale e ministrit të Brendshëm.

Përgjithësisht kur shkohet për të bërë një presion mbulohet arma. Është kthyer në normalitet edhe mbajtja e armës në dorë në publik! Krimi po s’pati mbështetje të politikës, OK do vazhdojë aktivitetin, por jo në këto përmasa që të dalë dikush me armë në publik.

S’mendoj se është rast për SPAK. Duket që s’ka lidhje me aspektet elektorale, aspekti elektoral është një garanci që grupet kriminale të veprojnë më lirshëm.

Ky ekstraterritorialitet që garantohet nga partitë në pushtet, janë kthyer si çadra, mbrojë të kriminalitetit, ku zhvillohen lojërat e fatit, trafiqet e ndryshme. Lojërat e fatit është një nga sektorët ku pastrohet një shumë e madhe në një kohë të shkurtër, e parave të botës së krimit”.

Shpërndaje