Akil Kraja nga Kongresi i PPE: Shqipëria anëtare në BE vetëm me një qeveri të djathtë.

I ftuar në kongresin e Partive Popullore Europiane që po zhvillohet aktualisht në Valencia të Spanjës, Drejtori i Kabinetit të Kryetarit të Opozitës dhe kandidati për deputet për Qarkun Tiranë,  Akil Kraja, u shpreh se Shqipëria ka humbur për një dekadë trenin e negociatave për antarësim dhe kjo ka ndikuar dramatikisht për vendin.

Fjala e tij u mbajt ne panelin e titulluar “MEGA – Make Enlargement Great Again: The Geopolitical Importance of the Western Balkans”, së bashku me Europarlamentarin kroat, Karlo Ressler.

Organizuar nga WMCES – Martens Center në kuadër të kongresit europian të PPE, eventi simbolizon një ndër aktivtetet kryesore të vitit për të djathtën europiane ku mblidhen drejtues shteti, lidera politikë dhe ekspertë nga mbarë kontinenti.

Gjatë fjalës së tij Kraja theksoi se mbi 1 milion shqiptarë janë zhvendosur në vendet e BE në 12 vitet e fundit dhe se vendi humbet çdo vit 1 miliard euro kosto oportune nga emigracioni. Impakti në ekonomi është edhe më i lartë pasi ndërmarrjet prodhuese kanë vështirësi për staf të kualifikuar, sektori i turizmit përballet me mungesa të burimeve njerëzore profesionale.

Nga ana tjetër, për PD dhe të djathtën shqiptare, Kraja theksoi se përballë integrimit europian nuk ka asnjë alternativë tjetër dhe se projekte si Open Balkans janë të destinuar të dështojnë. Përballë influencave malinje që mund të vinë nga shtete si Rusia, PD qëndron e palëkundur në krah të Europës e sanksioneve kolektive europiane.

Kraja u shpreh se konteksti aktual gjeopolitik i Ballkanit, me rijetëzimin e marrëdhënieve SHBA-BE, e favorizon rajonin tonë. Prespektiva e antarësimit të gjithave vendeve në NATO duhet të shkojë paralelisht me procesin e antarësimit në BE. Ai tha se vetëm me një qeveri të djathtë, pas 11 Majit vendit i sigurohet antarësimi në Bashkimin Europian.  

Paneli konkludoi se Shqipëria së bashku me rajonin duhet të jenë antare të Unionit dhe kjo duhet të ndodhë brenda 5 viteve të ardhshme. Eksperienca nga zgjerimet e mëparshme kanë dëshmuar se vetë Unioni ka pësuar rritje cilësore afat-shkurt dhe afat-gjatë nga zgjerimet në grup. Ndaj tani i ka ardhur koha dhe për rajonin tonë.

Shpërndaje