“Shkrirja e SPAK”|Berisha: Rama mendoi se do pranoja. I bëri llogaritë gabim.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti këtë të hënë një konferencë me gazetarët, ku, mes të tjerash u ndal edhe te puna e Prokurorisë së Posaçme. Berisha theksoi se ka refuzuar çdo propozim për shkrirjen e SPAK, pavarësisht rezervave që ka për organin e akuzës.

“Rama e ka hallin shumë të madh, sepse ai mendonte, meqenëse Sali Berisha është akuzuar padrejtësisht, tani, në akt hakmarrjeje, do të pranojë të votojë për shkrirjen e SPAK. Por kjo nuk mund të ndodhte, e kalkuloi gabim. I llogariti gabim hesapet dhe mbeti duarbosh”, tha Berisha.

Berisha theksoi se SPAK nuk duhet të shkrihet, pasi rrezikohet që vendi të përfundojë pa një institucion akuze.

Kryedemokrati theksoi se Prokuroria e Posaçme duhet të reformohet mbi kriteret e një vendi të lirë.

“Në burimet diplomatike dhe në burime të tjera është ngritur çështja e përpjekjeve të tij për të bashkuar votat me PD-në, dhe kjo nuk mund të ndodhte. Unë e kam shpjeguar arsyen pse veprova kështu. Nuk mund të le vendin pa një institucion akuze, kurrë. Duhet një reformim dhe një institucion akuze për një vend të lirë, ashtu siç duhet të jetë një vend i lirë.

Po, e ke parasysh ti, ai tha: ‘po më luten!’. Unë po i lutesha atij?! Po t’i lutesha unë, i bënim ato. Unë s’e kam thënë ndonjëherë atë. Ai është lutur, por dështoi”, tha Berisha.

Shpërndaje