Apeli i GJKKO ka shtyrë për ditën e nesërme në ora 12:30 seancën e vleftësimit të masës së sigurimit ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj.
Burime bëjnë me dije se Prokuroria e Posaçme dhe dy prokurorët e SPAK Olsi Dado dhe Altin Dumani kanë paraqitur gjatë ditës së sotme prova të reja për të cilët ata kanë kërkuar që të vlerësohen nga ana e gjykatës. Ende nuk dihen se për çfarë provash bëhet fjalë. Ditën e nesërme do të vijojë seanca në orën 12:30 nga ku do t’i jepet fjala dhe kryebashkiakut Veliaj i cili ditën e sotme nuk është shprehur.
I menjëhershëm dhe shumë i ashpër ka qenë reagimi i mediave pranë ish kryebashkiakut. Mosnjohja e ligjit bën që këto segmente mediatike të kthehen në kamikazë politikë ku me arsenalin e shpifjeve dhe akuzave ndaj trupës së SPAK e GJKKO e degradojnë artikulimin në terma e nocione aspak të përshtatshme në raport me çfarë pretendojnë se janë e përfaqësojnë.
“Me këtë gjyq qesharak i çirret maska SPAK dhe legjimitetit të veprimtarisë së kësaj strukture dhe ligjërisht del zbuluar si një organizatë kriminale, për asgjësimin e Erion Velajt duke përdorur skema të errta antishtet dhe antiligj.
I frikshëm dhe bashkëpunimi i gjyqtarit Pëllumbi, duke pranuar bashkëpunim me akuzuesit për të çuar deri në fund misionin e tyre… mbajtjen në burg të Erion Veliajt me çdo mjet dhe metodë kriminale.”
Majftojnë këto dy paragrafe për të kuptuar se sa ankth ka në rradhët e PS, sidomos të linjës së Erion Veliajt.
Rregullimi ligjor
Nenet 228 e vijues të Kodit të Procedurës Penale bëjnë rregullimin e kushteve, kritereve, gjykimin dhe ankimin e masave të sigurimit.
Duke qenë se ndaj Erion Veliajt kemi një masë sigurimi “Arrest në burg”, e cila është vleftësuar e lënë në fuqi me vendim të shkallës së parë të GJKKO dhe bërë ankim nga i personi nën hetim, është neni 249 i Kodit të Procedurës Penale i cili bën rregullimin e rastit konkret.
Referuar kësaj dispozite, në paragrafin 6 të saj parashikohet se: “Gjykata vendos, sipas rastit, shfuqizimin, ndryshimin ose miratimin e vendimit, edhe për arsye të ndryshme nga ato që janë parashtruar ose nga ato që tregohen në pjesën arsyetuese të vendimit.”
Pra, duket qartë se gjykata e shkallës së dytë të gjykimit vendos në fund, duke shfuqizuar, ndryshuar apo miratuar vendimin e masës, edhe për arsye të ndryshme nga ato që ka çmuar shkalla e parë. Duke përfshirë edhe provat e reja që palët paraqesin në gjykim, si nga ana e mbrojtjes ashtu dhe nga organi akuzës. Thënë ndryshe, seanca e sotme e paraqitjes së provave të reja nga ana e Prokurorisë si dhe vendimi i ndërmjetëm i gjykatës për pranimin e tyre, ishte i ligjshëm dhe pa asnjë ndikim apo orientim politik.
Edhe një herë propaganda qeverisë sot provoi se sulmi ndaj SPAK e GJKKO është e vetmja mënyrë për të mbijetuar politikisht. Ata e dinë shumë mirë se korrupsioni i shtrirë në çdo qelizë është një çështje që zgjidhet vetëm juridikisht e jo politikisht.