Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike z.Flamur Noka ka reaguar përmes një statusi në profilin e tij në facebook ku vë në dukje mungesën e urimit për rastin e Fiter Bajramit nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë.
Në fakt, është rast i paprecedentë pasi çdo vit nuk kanë munguar vizitat në selinë e KMSH dhe urimet qofshin këto edhe formale. “Unë e di pse. U sfumua. Mbeti mbrapa. I iku momenti nga duart.” shprehet z.Noka. Çka lë të nënkuptohet se po ndodhin zhvillime të cilat syri i publikut nuk i sheh.
“Injorimin e tij mos e harroni!” e mbyll reagimin Sekretari i Përgjithshëm i PD. Si një sinjalizim i diçkaje që pritet të ndodhë.
Postimi i plotë:
Dje ishte Bajram, një ditë paqeje, faljeje dhe urimi për besimtarët. Të gjithë u uruan. Myslimanët njëri-tjetrin, të krishterët uruan myslimanët, disa me zemër, disa për mirësjellje, disa të tjerë veç për protokoll.
Ama njëri nuk bëri zë. Nuk pipëtiu. Iu mbyll goja fare. Për Edi Ramën e kam fjalën. Ai që premtonte se do ishte i “të gjithëve”. Ai që s’lë gjë pa komentuar në media e rrjete sociale; vigjilenti i partisë, zgjodhi ditën e Bajramit për t’u marrë me tallje e bullizime të rëndomta. Asnjë urim. Asnjë gjys fjale për besimtarët e shumtë.

Për herë të parë që prej vitit 2013, Bajramin e fshiu nga kalendari i tij. Ndoshta e kishte ndarë mendjen të merrej me ndonjë meme, a fundja të kthente një gotë verë nga ato “cilësoret”. Një Zot e di. Në çdo rast, heshtja e tij foli më shumë se çdo fjalë, por nuk tha as paqe, as respekt e as urim.
Dikur si kryebashkiak ecte serbes mbi sexhdet e besimtarëve, sot flet me heshtjen e tij. Unë e di pse. U sfumua. Mbeti mbrapa. I iku momenti nga duart. 😉 Injorimin e tij mos e harroni!