Kandidatja e Partisë Demokratike për qarkun Elbasan, Klodiana Çapja, ka reaguar përmes një statusi në facebook ku falenderon Kreun e PD z.Berisha, Kryesinë, strukturat e Degës Elbasan, demokratët dhe çdo mbështetës tjetër që e votuan dhe besuan tek ajo për ta kandiduar si pjesë të listës së mbyllur në këtë qark.
Si nënë e një fëmije 2 vjeç, ajo i kërkon falje vajzës dhe bashkëshortit për kohën që i ka marrë angazhimi partiak. Gjithashtu, i kërkon familjes mirëkuptimin për çdo situatë e rrethanë që ngrihet për shkak të angazhimit të saj partiak ku për hir të së vërtetës për gratë është shumë e vështirë.
Zj.Çapja e mbyll reagimin e saj me premtimin “marr përsipër një angazhim të shënjtë për të arritur qëllimin final, Fitoren e pakthyeshme në zgjedhjet e 11 Majit.”
Statusi i plotë:
Të nderuar demokratë e qytetarë të qarkut të Elbasanit!
Falënderimi i parë, dhe i shenjtë, është për ju që më mbështetët pa kursim përgjatë këtij rrugëtimi! Kjo m’a shton përgjegjësinë e përgjegjshmërinë ndaj jush e Partisë Demokratike! Ju jam falënderuese përjetë! 🙏💙
Përzgjedhja si kandidate për deputete në qarkun e Elbasanit në listat e Partisë Demokratike është jo vetëm nder por dhe përgjegjësi e madhe.
Nga zemra dua të falënderoj për besimin dhe mbështjetjen e palëkundër, Kryetarin e Partisë Demokratike, Profesor Doktor Sali Berishën dhe Kryesinë e PDSH-së.
Falënderim me shpirt i takon familjes sime për durimin e pashtershëm në një botë tejët të vrazhdë për gruan në politikë! Bashkëshortit tim, Erionin, prindërve të mi, familjes së ngushtë, dhe veçanërisht vajzës sime 2 vjeçe Kloe, të cilët më mbështetën e mirëkuptuan pa kursim.
I falënderoj, aq sa i kërkoj falje me gjithë qënien që shpesh duhet të ballafaqohen me jonjerëzoren, për faktin që gruan, nënën, vajzën e motrën e kanë në politikë.Çmime këto të vështira për tu rikuperuar.
E vetëdijshme që nuk ka për të qenë e lehtë, me besimin në Zot, marr përsipër një angazhim të shënjtë për të arritur qëllimin final, Fitoren e pakthyeshme në zgjedhjet e 11 Majit.
Për Demokratët, Elbasanin dhe Shqipërinë!
E juaja, si gjithmonë e njëjta,
Klodiana