Akil Kraja, ekspert ekonomie, gjatë një takimi me shoqatat e biznesit, theksoi rëndësinë e zhvillimit të ekonomisë digjitale dhe potencialin që ka Shqipëria për t’u shndërruar në një qendër rajonale të data serverëve.
Kraja theksoi se, pavarësisht perceptimeve, PD ka angazhimin për të qëndruar besnike ndaj reformave digjitale, duke ofruar mundësi të reja për rritjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Sipas tij, digjitalizimi i mëtejshëm i ekonomisë është një hap kyç për të rritur konkurrencën dhe për të garantuar një të ardhme më të qëndrueshme dhe të pasur për vendin.
Pjesë nga fjala e z.Kraja:
“Ka dhe një risi të madhe, ju e dini, ekipi është i ri, pavarësisht perceptimeve, PD kërkon t’i qëndrojë besnik ekonomisë digjitale.Ju e dini që E-Albania është një nga arritjet e para nga ne. Po ashtu, kujtoni reformën digjitale, si dhe QKL, e cila u vlerësua nga USAID-i. Digjitalizimi i internetit në Shqipëri ka qenë relativisht mjaft i ulët dhe në vitin 2013 u arritën rekorde. Kjo është mundësia për të bërë gjëra të mëdha.
Me programin tonë të ri, angazhohemi për një risi. Kërkojmë që Shqipëria të jetë epiqendra rajonale e data serverëve.

Kjo është ekonomia e së ardhmes, që ne kërkojmë të parashikojmë, dhe kemi ambicie që të kombinojmë uljen e çmimit të energjisë, sigurisht për ekonominë tradicionale dhe veçanërisht për data center-at dhe internetin, duke sjellë kështu avantazhe krahasuese, përfshirë dhe rritjen e sovranitetit të vendit.
Kjo varet shumë nga siguria juaj për të mbrojtur të dhënat. Kombinimi i data center-ave me efikasitetin e ri digjital do të bëjë që rinia të mos mbetet pas, duke u përgatitur për të ardhura të reja që sjellin investime të huaja dhe mundësi të reja pune”