Analistët pranë qeverisë, me dirigjent Edi Ramën, në lidhje me çështjen e Veliajt, po e orientojnë debatin publik tek fustanet dhe mbathjet e Ajola Xoxës. Në dukje jo etik por tepër strategjik, ky diskutim bëhet nuk funksion të:
1. Relativizimit të efekteve politike, sidomos brënda PS, që prodhoi arrestimi i Erion Veliajt.
2. Denigrimit të figurës së prokurorit të çështjes.
3. Fshehjes të pjesës më të rëndësishme të çështjes në fjalë, korrupsionit galopant në Bashkinë Tiranë.
Opinioni publik duhet sqaruar se: Po, është bërë kontroll banese e ndër të tjera është kontrolluar edhe garderoba e Ajola Xoxës. Po, janë sekuestruar veshëmbathje të saj. Të gjitha këto, dhe veprime tjera hetimore, janë kryer sepse ekzistojnë dyshime të arsyeshme mbi transaksione bankare fiktive që kanë si burim pagesat nga subjektet tregtare që kanë lidhur kontrata publike me Bashkinë Tiranë. Në funksion të kësaj, dyshohet se Ajola Xoxa ka kryer veprën penale të “pastrim i produkteve të veprës penale”.
Përveç sa më lart, që të mbetemi te rëndësia e sekuestrimit të veshmbathjeve jo sipas debatit që po orienton pushteti, ato janë sekuestruar pasi kanë cilësinë e provës materiale për shkak:
▪︎ Të çmimit tepër të shtrenjtë
▪︎ Detyrimit që ka si bashkëshorte e zyrtarit të lartë për të deklaruar shpenzime me vlerë mbi 300 mijë lekë (te reja).
Pra, Ajola Xoxa dyshohet se ka pastruar lekët e korrupsionit të bashkëshortit të saj si dhe nga ana tjetër nuk ka deklaruar shpenzimet që detyrohet sipas ligjit për deklarimin e pasurisë.
Kështu, ato që parashtruam më lart kanë rëndësi për hetimin për sa kohë Ajola Xoxa ka pozitat proceduriale të personit nën hetim. Nga analiza e dosjes në tërësi, veprat penale të dyshuara se janë konsumuar nga ana e saj, në thelb, janë rrjedhojë e veprave penale që dyshohet se ka konsumuar bashkëshorti, Erion Veliaj, në cilësinë e kreut të Bashkisë Tiranë. Pra, subjekti qëndror i hetimit është Erion Veliaj.
Nëse i referohemi vendimit të masës së sigurimit, Erion Veliaj po hetohet për veprën penale të korrupsionit pasiv të zyrtarëve vendor, kryer në bashkëpunim, për 9 raste, si dhe për veprën penale të pastrim i produkteve të veprës penale, kryer në bashkëpunim në më shumë se një herë.
Pra, Erion Veliaj, kryebashkiaku i kryeqytetit që menaxhon një buxhet rreth 500 milion euro, është kapur në 9 raste korrupsioni. Referuar skemës së zbardhur nga prokuroria rezulton se shërbimet publike në Tiranë ishin mekanizmi që Erion Veliaj të shtonte pasurinë. Kontratat publike shpërndaheshin në një rreth të ngushtë biznesmenësh të cilët shpërblimin ndaj Veliajt e materializonin në vila dhe transaksione bankare që pas një cikli formal përfundonin tek Harabeli Ajola Xoxes.
Korrupsioni në Bashkinë Tiranë ka qenë i shtrirë në çdo qelizë. Dhe për këtë nuk është nevoja të numërojmë veshmbathjet e Ajola Xoxes pasi në dy çështje tjera të bujshme, tek “Inceneratori i Tiranës” dhe ajo “5D”, ka zyrtarë të Bashkisë Tiranë të dënuar apo nën hetim. Dosjet e prokurorisë provojnë se në atë institucion është punuar për të vjedhur. Bashkia Tiranë, në 10 vite të drejtimit nga Veliaj, është kthyer në simbolin e korrupsionit aq sa ka kaluar në administratën e tretë për shkak të vakancave të krijuara nga masat e sigurimit arrest në burg. Dhe arrestimi i Veliajt, bën që atij institucioni ti vënë çelsin. Por jo, Rama dhe shpura e tij mediatike po tentojnë ta mbulojnë diellim me shoshë, ose, korrupsionin e shtrirë në çdo qelizë me vesh/mbathjet e Ajola Xoxes.