Ted Kopliku, kandidat i PD-së për primaret në Shkodër, në një lidhje me emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, shpjegoi përse do të hynte në garë.
Ai e krahasoi rikthimin e Berishës me atë të personaliteteve të njohura botërore si kryeministri britanik Çërçil apo ai francez De Gol.
“Unë i përkes brezit të viteve ’90. Brezi ynë ka detyrën për të çuar më lart atë që keni nisur ju. Unë nuk jam kthyer nga Franca për t’u marrë me politikë, por atje studiova. Ne kemi këtu probleme politike. Ne që konkurojmë në primare nuk kemi hyrë vetëm për të marrë pjesë, por për të fituar.
Çështja është a do të jetë i pranueshëm procesi, sepse PD ka kartën morale. Ne duam të jemi në krye për të hequr këtë qeverisje, që është më e keqja në këto 34 vite. Unë jam 34 vjeç”– tha Kopliku.
I pyetur pse ka qëndruar te PD dhe jo të PS, ai tha se PD ka bërë më shumë të mira se të këqija, më shumë se çdo formacion tjetër politik, pavarësisht vitit 1997.
Pyetjes së moderatorit Ylli Rakipi nëse mendon që nuk është anomali që Berisha të drejtojë PD dhe vendin pas 30 e ca vjetësh, Kopliku u shpreh:
“Sali Berisha përfaqëson shumicën e PD-së, është legjitim. Beteja që ka bërë ai këto 3 vite është kauzë e drejtë. Pse jo? Unë kam studiuar në Francë dhe pse nuk është bërë kjo pyetje për Çërçillin dhe De Golin”– tha Kopliku.