Nuk ishte protestë por bandë që intimidon drejtësinë!

Sot Partia Socialiste ka kaluar ditën më të keqe të saj prej 12 vitesh që ndodhet në pushtet. Asnjë skandal apo arrestim tjetër nuk ka dhënë impakt sa ai i Erion Veliajt.

Përveç goditjes së njeriut nr.2 në PS dhe pretendentit kryesor për marrjen e drejtimit të partisë, vendimi i GJKKO hodhi poshtë një propagandë të pështirë “Se në Tiranë punohet” si dhe zbardhi skemën e korrupsionit dhe të pasurimit familjar të kryebashkiakut që kishte punuar fort për imazhin e mëngëpërveshurit e të papërtuarit për t’i shërbyer qytetarëve.

Ky arrestim zbuloi për kë nuk besonte dhe faktoi për ato që pretendonin, se Partia Socialiste është kthyer në një çetë banditësh që nuk duan dhe nuk njohin ligj e institucione.

Ditën e nisi Kryeministri me sulme të hapura dhe të drejtëpërdrejta ndaj prokurorit dhe gjyqtarit të çështjes. Më pas, protesta e paradites para SPAK dhe ajo e pasdites që kulmoi me bllokimin e rrugës së gjykatësit Bani, mbi të gjitha mungesa e Policisë së Shtetit në tubim, veprim i cili rriti edhe më shumë dozën e presionit ndaj përfaqësuesve të drejtësisë duke i trajtuar ato si ushqim për turmën, shpalosën anën më të errët të këtij subjekti partiak që për 12 vite ka qenë në partneritet me krimin e organizuar.

Dita e sotme i tregoi shqiptarëve se mungesa e kulturës se respektit ndaj ligjit dhe institucionit është e shtrirë në mënyrë vertikale dhe horizontale në të gjithë aparatin shtetëror. Sot në protestë nuk ishin anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Socialiste por N/kryetarët, drejtorët, krerët e Njësive Administrative, policë bashkiak dhe çdo zyrtar tjetër i Bashkisë Tiranë. Pra, administrata shtetërore doli para gjykatës dhe i kërkonte asaj të mos zbatojë ligjin.

Bandë! Asnjë ndryshim me partnerët e tyre, krimin e organizuar. Kulturë dhe mendësi që rrënon çdo normë e rregull që shoqëria i ka vendosur për të garantuar sigurinë publike dhe të gëzojë të drejtat private. Sot pamë një administratë që braktis punën për të mbrojtur një të akuzuar për korrupsion. Zyrtarë që presionojnë gjyqësorin duke e shfaqur hapur, para kamerave. Sot pamë disa banditë të veshur me kollare që pretendohet se i shërbejnë qytetarëve. Sot pamë live, me zë e figur, se shteti ra, në kuptimin e parë dhe të plotë të fjalës.

Shpërndaje