Krimet zgjedhore|Dumani i përgjigjet Ramës: Nëse nuk veprojmë në kohë, nuk vlenë drejtësia post factum.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, shpjegoi arsyet pse SPAK-u ndërmori iniciativën për të hetuar krimet zgjedhore.

“Nuk kemi bërë gjë tjetër veçse kemi reflektuar shqetësimet e organizatave ndërkmbëtare sa i takon procesit zgjedhor. Kuvendi i Shqipërisë, me rezolutën e vitit 2024 për SPAK ka rekomanduar që ky institucion të ketë një qasje proaktive, duke i kushtuar vëmendje të veçantë hetimit të krimeve zgjedhore, veçanërisht fakteve të bëra publike në medie para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor,” u shpreh z. Dumani.

Por drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ishte i kujdesshëm kur solli në vëmendje edhe kohën kur duhet të hetohen krimet zgjedhore, duke lënë të kuptojë se struktura e ngritur prej tij, strategjia në bashkëpunim me prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve do të jetë efikase për të dhënë përgjigje të shpejta.

“Kur krimi zgjedhor, përfshirë ai që lidhet me financimet informale në fushatë, goditen në kohë, efekti publik është i madh dhe e kundërta, zgjatja e hetimeve post factum, edhe nëse prodhon drejtësi prodhon mosbesim,” tha kryeprokurori special.

Z.Dumani i bëri deklaratat gjatë një takimi në Tiranë, ku ishin të pranishëm edhe prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi. Ky i fundit tha se KQZ-ja po bën përpjekje që zgjedhjet e 11 majit të përmbushin standardet.

“Jemi duke bërë më të mirën e mundshme për të pasur zgjedhjet e 11 majit me standardet që i takojnë një vendi kandidat për t’iu bashkuar Europës,” deklaroi z. Celibashi.

Shpërndaje