SPAK dërgoi në gjykatë këtë të premte të pandehurit e dosjes së inceneratorit të Tiranës, një investim për të cilin janë paguar mbi 70 milion euro dhe që do të bënte djegien e mbetjeve të Tiranës, por që nuk u ndërtua kurrë. Akuzat iu shtuan shpërdorimit të detyrës për ish-ministrin Lefter Koka dhe ngarkuan me përgjegjësi 11 zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Bashkisë së Tiranës, Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve, ATRAKO.
Për 8 prej këtyre ish zyrtarëve të marrë të pandehur SPAK kërkoi dënimin me 26 vite burg.
Por në përgjegjësinë për vjedhjen me inceneratorin e Tiranës mbetën jashtë Erion Veliaj dhe Edi Rama, pa firmat e të cilëve kjo aferë gjigande e korrupsionit nuk do të ishte e mundur.
Si Rama, ashtu edhe Veliaj kanë firmosur në kundërshtim me ligjin për t’i hapur rrugë pagesës së miliona eurove për djegien dhe prodhimin e energjisë nga mbetjet e qarkut të Tiranës, sipas një tarife prej 39 euro për ton për shërbime që nuk u morrën kurrë.
Për këtë çështje, Veliaj u mor në pyetje për më shumë se 7 orë në SPAK si person në dijeni, ndërsa Edi Rama ka komentuar vetëm në një rast, kur është marrë në pyetje në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët.
Firma e Veliajt për pagesat e inceneratorit të Tiranës
Erjon Veliaj mori përsipër financimin e inceneratorit të Tiranës, me çmimin 39 euro/ton megjithëse nuk ishte në kompetencën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Firma e tij është në dokumentin e marsit të vitit 2017 përmes të cilit ai e futi Bashkinë e Tiranës në një angazhim financiar me vlerë rreth 91 milion euro, pa pyetur më parë Këshillin Bashkiak.
Por për çdo qindarkë që lëviz nga buxheti i bashkisë, vendimi merret nga Këshilli Bashkiak, jo nga kryetari i bashkisë.
Pavarësisht kësaj, firma e Veliajt i hapi rrugë procedurave të projektit, që nuk u realizua kurrë.
Për më tepër, kur mori miratimin e Këshillit Bashkiak, kontrata për inceneratorin tashmë kishte një muaj që ishte nënshkruar. Dokumenti më poshtë:
Bonusi që Rama i dhuroi kompanisë inekzistente të Klodian Zotos dhe Klodian Mërtirit
Duke qenë se procedurat zyrtare për inceneratorin e Tiranës ishin fiktive, sepse pazaret ishin kryer më herët, një pjesë e mirë e dokumentave shtetërore u hartuan në fshehtësi nga Klodian Zoto, i cili punonte në prapaskenë dhe furnizonte institucionet shtetërore me dokumentat e duhura, edhe pse ai ishte një nga pronarët e kompanisë private që fitoi konçensionin.
Prandaj kur Klodian Zoto bëri një gabim dhe kërkoi bonus për kompaninë e tij, të cilën ende nuk e kishte regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, procedurat vazhduan normalisht.
Pasi miratuan studimin financiar sipas udhëzimeve të Klodian Zotos, anëtarët e komisionit të ofertave i kërkuan me shkrim Lefter Kokës të niste procedurat për t’i dhënë kompanisë Integrated Energy B.V sh.p.k një bonus prej 8 pikësh.
Lefter Koka shpërndau menjeherë shkresën në ministritë e tjera.
SPAK e ka zbuluar këtë fakt dhe në dosjen për inceneratorin e Tiranës shkruhet se: Në këtë datë që është propozuar dhënia e bonusit, shoqëria Integrated Energy B.V sh.p.k nuk rezultonte e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Ky është një nga momentet për të cilat, Ermonela Felaj që në atë kohë ishte Ministre për Shtetin e thotë me krenari se ka firmosur kundër. Sepse Integrated Energy BV sh.p.k u themelua ne 30 gusht te vitit 2017. Plot 9 muaj pas vendimit te qeverise qe i jepte asaj bonusin e pikeve.
“Fatkeqësisht, pavarësisht kërkimit disa herë, qoftë me emër kompanie, qoftë me emër aksioneri, nuk kemi mundur të gjejmë shoqërinë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit”, shkruajti Felaj në përgjigjen e saj për Lefter Kokën.
Nëse procedura do riniste nga fillimi, do të merrte shumë kohë për t’u korrigjuar. Ndaj Felajt i kthyen një përgjigje sa për të larë gojën dhe ajo vetë ia la për të firmosur bonusin drejtoreshës së saj të kabinetit, Rovena Vodës. Dihet se Vodaj më pas u promovua si zv.Ministre e Brendshme dhe përfundoi në burg për korrupsion.
Por procedurën nuk e ktheu mbrapsht as Këshilli i Ministrave. Edhe Edi Rama firmosi bonusin për kompaninë e Klodian Zotot, megjithëse kompania u regjistrua në QKB rreth 9 muaj më vonë. (Shiko dokumentin më lart)
Ndërohë më poshtë është dokumenti nga dosja e SPAK, që provon paligjshmërinë e bonusit që Rama i dha kompanisë së Klodian Zotos.