Gara në Primare|Kopliku: është koha të ndërtojmë ura të reja besimi. 11 Maji betejë patriotike.

Ted Kopliku, është njëri nga garuesit në primaret për qarkun Shkodër. Me anë të një postimi në profilin e tij në facebook ai ka renditur arsyet pse po kandidon dhe çfarë i ofron ai votuesit shkodran e jo vetëm.

“Problemet në Shqipëri janë thellësisht politike dhe zgjidhja po ashtu është thellësisht politike”, shprehet ai, duke i dhënë kështu peshën dhe rëndësinë e duhur votës si një mekanizëm delegimi të pushtetit që votuesi e ushtron çdo katër vite. Prandaj, “11 Maji është betejë patriotike”, shton më tej z.Kopliku.

Statusi i plotë:

Unë besoj se …

Përfaqësimi në Parlamentin e Shqipërisë është përgjegjësia më sublime në demokraci dhe si e tillë, kjo përgjegjësi i duhet besuar atyre që politikën e kanë pasion në shpirt, vizion në mendje. 

Besimi në vete dhe besimi se ne ia dalim na mungon si shoqëri. Jo për fajin tonë, por sepse ky besim është thyer herë nga mos përfaqësimi e herë nga keqpërfaqësmi. Kur, veçse tani, është koha për të ndërtuar ura të reja besimi?!

Shërbimi që prindërit e mi i kanë bërë qytetit tonë dhe Shqipërisë, nuk mjaftojnë për të më besuar mua. Edhe më pak kontributi që të parët e mi i kanë dhënë prej vitesh kombit e prej më shumë se tre shekujsh qytetit tonë. E megjithatë, ata kanë qenë frymëzim e model për mua në gjithë rrugëtimin tim prej 33 vitesh, ndaj shembulli dhe kontributi i tyre do të jenë udhërrëfyes në raportin tim me veten, me shkodranët, me shqiptarët edhe në vazhdim. 

Arsimi dhe eksperiencat profesionale

Une jam Ted Kopliku, 33 vjeç. Kam kryer studimet në inxhinieri ndërtimi në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe disa vite më pas kam kryer studimet në Francë, në Histori, Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Shkenca Sociale nivel bachelor dhe Studime Europiane dhe Ndërkombëtare nivel master në Universitetin Paul Valéry të Montpellier. Mes dy cikleve të studimeve kam punuar në sektorin privat si menaxher dhe inxhinier për projekte sigurie, gjithashtu si asistent parlamentar. Së fundmi, bashkëthemelues dhe anëtar bordi i institutit të studimeve Albanian Conservative Institute dhe më parë anëtarë bordi i think tanku-t Albanian Policy Center. 

Përfshirja në politikë

Angazhimin në politikë e kam filluar që herët në adoleshencë, ku për herë të parë isha pjesë fushatës së suksesshme të vitit 2005. Nga ngjitja e posterave, puna në terren, roli i komisionerit/numëruesit e deri tek propozimi i strategjive elektorale për Partinë Demokratike, kam marrë pjesë në një formë apo në një tjetër në të gjitha fushatat elektorale të Partisë Demokratike. 

Me krenari e them që jam bashkëthemelues i Departamentit Brain Gain, risisë më të madhe jo vetëm në Partinë Demokratike, por në të gjithë politikën shqiptare. Me këtë departament i dhamë një tjetër dimension politikëbërjes, duke mundësuar angazhimin e të rinjve prej kudo në botë ku ata jetojnë e punojnë. 

Jam bashkëautor, me anëtarë të tjerë të këtij departamenti, të dy manualeve të anti-propagandës si “Libri i Punëve të Mira” dhe “ATA THYHEN”, që me fakte i dhamë demokratëve një listim të gjatë arsyesh për të qenë krenarë për të shkuarën, ashtu sikurse hodhëm dritë mbi propagandën masive të këtyre 12 viteve duke synuar çlirimin e mendjes së shqiptarëve nga burgu i mashtrimit të Rilindjes.

Në mendimin tim problemet në Shqipëri janë thellësisht politike dhe zgjidhja po ashtu është thellësisht politike. Jam i bindur që beteja e 11 majit është një betejë patriotike dhe për këtë betejë kërkoj votën tuaj. Unë mund të shërbej denjësisht në vijën e parë të kësaj beteje dhe për këtë më mjafton besimi juaj.

Shpërndaje