Lideri i PD, Sali Berisha, në mbyllje të fjalës së tij në protestën kombëtare të opozitës, bëri thirrje për një angazhim të mëtejshëm të çdo shqiptari për fitoren përfundimtare të opozitës më 11 maj.
Ai ftoi të gjithë partitë politike që e konsiderojnë veten opozitare, si dhe socialistët e ndershëm, të bashkohen për të luftuar kundër regjimit të Edi Ramës, duke ofruar një program që e konsideroi të dobishëm për të gjithë shqiptarët, me përparësi në liri, të drejtat e njeriut, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe modernizimin e shërbimeve. Berisha gjithashtu apeloi për mobilizim të elektoratit gri, duke nënvizuar se heshtja është një aleatë e diktaturës dhe se duhet të veprohet për të larguar regjimin e Edi Ramës, i cili sipas tij ka kryer gjenocid të butë ndaj shqiptarëve. Ai përfundoi duke premtuar fitoren e madhe të opozitës më 11 maj, duke garantuar se me punë, vizion dhe mbështetje nga populli dhe miqtë ndërkombëtarë, Shqipëria do të ndryshojë për mirë.
Fjala e Berishës:
Ndaj të vazhdojmë ne betejën tonë në çdo derë, në çdo mendje, në çdo zemër, për fitoren e thellë dhe përfundimtare të opozitës shqiptare më 11 maj.
Të bashkohemi!
Iu garantoj se PD po bën gjithçka për frontin më të gjerë opozitar.
Ftoj të gjitha partitë politike që i thonë me ndërgjegje vetes opozitës, të bashkohen me ne kundër kësaj të keqe të madhe, narkodiktaturës.
Ftoj socialistët e ndershëm, që i shfrytëzoi gjer në palcë rilindja e Edi Ramës, të bashkoheni me ne, sepse programi ynë është program për të gjithë shqiptarët.
Është programi i lirisë dhe të drejtave të njeriut, programi i përmbysjes së modelit të deritanishëm të përdorimit të buxhetit, programi i rritjes së rrogave dhe pensioneve, programi i modernizimit të shërbimeve në arsim, shëndetësi dhe fushat e tjera.
Ftoj të gjithë elektoratin gri: mos harroni gjë, historia ne shqiptarëve na ka mësuar se e keqja, se diktatura pas lufte nuk desh asgjë tjetër përveç heshtjes së shumicës.
Se shumica e heshtur, me dashje apo pa dashje bëhet aleate e diktaturës. Ndaj të ngrihemi, heshtja të mos na topisë, por të shkojmë tek kutia e votimit. Të marrim të gjitha përgjegjësitë qytetare për të votuar dhe larguar me votën tonë regjimin më të keq, diktaturën më të keqe, më antishqiptare.
Regjimin që kreu gjenocid të butë duke përzënë 1 milionë shqiptarë në 10 vite, regjimin e Edi Ramës.
E kemi detyrim madhor ndaj fëmijëve tanë, por edhe ndaj atyre që nuk i kemi më, të luftojmë dhe fitojmë.
Dhe unë u garantoj se me punë, me vizion, me vendosmëri, me mbështetje mbarëshqiptare, me mbështetjen e miqve tanë, 11 maji do të jetë dita e fitores së thellë, fitores së madhe të opozitës shqiptare.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëri.
Zoti e bekoftë Shqipërinë, flamurin e saj.