Mediat pranë pushtetit dhe të tjerë që bëjnë politikë me idenë se do të marrin vota duke atakuar Berishën, ditën e djeshme qarkulluan një lajm që citonin një raport të Departamentit Amerikan të Shtetit ku përmendej çështja e ish Klubit Partizani.
Sipas këtij lajmi, Departamenti i Shtetit merr si shembull procedimin e Berishës kur harton raportin vjetor të pastrimit të parave. Pra, mesazhi që përcillej ishte se edhe administrata Trump po ndjek gjurmët e asaj të Biden. Ndërkohë e vërteta është krejt ndryshe. Ky lajm, që në fakt është fake news, u prodhua nga mediat pranë pushtetit dhe u qarkullua nga portale tjera me qëllimin e njejtë e duke ndjekur të njejtën strategji të këtyre tre viteve; përçarjen dhe demotivimin e demokratëve në emër të Amerikës në funksion të mandatit të katërt të Edi Ramës.
Çfarë është INCSR?
Raporti Strategjik i Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve (INCSR) i Departamentit të Shtetit të SHBA-së është një raport që përshkruan përpjekjet ndërkombëtare për të luftuar tregtinë e drogës, pastrimin e parave dhe krimet financiare në nivel global, duke u analizuar çdo vend veçmas.
Raporti përgatitet në përputhje me Seksionin 489 të Aktit të Ndihmës të Jashtme të vitit 1961. Ai i dorëzohet Kongresit më 1 mars të çdo viti ku përmbeldh informacione dhe zhvillimet e vitit paraardhës.
Pse risillet si dokument?
Për të kuptuar qëllimin se përse riprodhohet ky dokument, e rrjedhimisht si lajm, duhet të sqarojmë fillimisht përmbajtjen e dokumentit si dhe kush e shpërndau si lajm.
a) Përmbajtja e dokumentit. Ashtu siç e sqaruam më lart, procedura e miratimit të këtij akti është: DASH nëpërmjet ambasadave por dhe strukturave tjera ligjzbatuese bën vëzhgimin e shteteve të huaja në lidhje me luftën kundër narkotikëve e pastrimit të parave dhe në fund harton një raport. Ky raport dërgohet në Kongres për miratim çdo datë 1 mars dhe publikohet e bëhet i aksesueshëm vetëm në muajin mars.
Në rastin konkret, bëhet fjalë për Raportin e INCSR të vitit 2024 që pasqyron ngjarjet e vitit 2023. Zhvillimet e vitit 2024 do ti gjejmë të pasqyruara në INCSR 2025 e cila do të publikohet në mars të këtij viti. Thënë ndryshe, raporti që u citua nga mediat pranë qeverisë e jo vetëm, është hartuar nga administrata e DASH nën drejtimin e Antony Blinken dhe jo nga ajo aktuale e Marco Rubios.
Për më tepër, Berisha nuk citohet se po procedohet për veprën penale të pastrimit të parave por referohet si rast në paragrafin “Çështje dhe komente të zbatimit të ligjit” ku padiskutim trumbetohet edhe reforma në drejtësi.
Vlenë të theksohet fakti se kur lexon raportin bie në sy mendja perverse, padiskutim dhe e njëanëshme, e atyre që e kanë hartuar si akt. Kupton se si kapërcehet nga “Shqipëria mbetet e pambrojtur ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, krimit të organizuar dhe boshlleqeve në kuadrin ligjor e rregullator… trafikimi i narkotikėve dhe aktiviteti krimit të organizuar janë burimet kryesore të fondeve të pastruara. Organizatat kriminale shgiptare janë të lidhura drejtpërdrejt me homologët e tyre në Evropë dhe Amerikën e Jugut… pjesa më e madhe e pastrimit të parave në Shqipëri është e lidhur me trafikun e drogës dhe qenieve njerëzore, mashtrimit me kontratat qeveritare, evazionin fiskal dhe kontrabandën” kalohet tek “Në vitin 2023, SPAK ndërmori veprime që përfshinin arrestime dhe sekuestrim të pasurive të ish zyrtarëve të nivelit të lartë. Në tetor, SPAK njoftoi një hetim ndaj ish kryeministrit…”. Pra, mangësitë e qeverisë në luftën kundër krimit të organizuar, deri në përfshirje të vetë saj në shumë raste, raporti e anashkalon dhe si masë parandaluese citon procedimin e Berishës si kryeministër në pushtet i para 12 viteve. Duket qartë se dora që ka shkruar raportin ka patur të qartë se cilin emër të shkruaj e ta nënvizojë.
b) Shpërndarja e lajmit. Për të qenë korrekt në analizë, mediat e mëdha e me integritet, edhe pse mbajnë linjë editoriale pro qeverisë, nuk e pasqyruan si lajm. Kjo lojë nisi nga portali Pamfleti.news e më pas u shpërnda nga ato të ngritura sëfundmi nga ekipi i Erion Veliajt që kanë për synim denigrimin e dyshes së drejtësisë Dado-Bani që lanë pas hekurave kryetarin e Bashkisë Tiranë. “Pre” e këtij lajmi fake ranë edhe ato me karakter euroatlantik. Pa asnjë verifikim paraprak, portalet në fjalë publikuan një domument që nuk kishte të bënte me përcjelljen e lajmit por me dezinformim në shërbim të Edi Ramës.
Konferenca e Sigurisë në Mynih ishte një tjetër shuplakë e administratës Trump ndaj Edi Ramës. Mungesa e telefonatës nga Presidenti Trump pas ceremonisë të marrjes së detyrës, mosshtrëngimi i duarve në inagurimin e Katedrales Notre Dame De Paris dhe sëfundmi refuzimi nga stafi për tu takuar me JD Vance dhe Marco Rucio në Mynih, janë panorama më e qartë që tregon izolimin dhe vetminë e madhe në të cilën ndodhet sot Edi Rama.
Nga ana tjetër, revanshi që ka marrë Partia Demokratike në planin e jashtëm, ku në çdo tavolinë të nivelit rajonal e ndërkombëtar është pjesë duke thyer kështu akujt e izolimit, ka bërë që përmasat globale të Edi Ramës të tkurren në atë të një shtetari të vogël që drejton një popull të varfër dhe një qeveri të korruptuar ku gjysma e saj ndodhet në burg.
Tentativa për të krijuar idenë e rreme se Partia Demokratike është e izoluar nga SHBA dështoi me sukses. Nga ana tjetër, kjo tregoi edhe dëshpërimin e madh në të cilën ndodhen aq sa bëjnë politikë me emrin e Sali Berishës dhe kur skanë çfarë thonë më, sajojnë të tilla paçavuresh.
Si përfundim, kuptojmë se fake news e djeshëm e sajuan ato që dështuan në Konferencën e Sigurisë Mynih dhe i dhanë zë ato që nuk morën ftesë të ishin pjesë e saj.