Në Kuvend është paraqitur projektligji për ndryshimin e ligjit nr. 8116, datë 29.3.1996 “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”.
Referuar ndryshimeve që propozohen duket se do ndihmojnë sistemin e drejtësisë të ulë stokun e dosjeve që presin gjykimin. Ndëehyrjet në KPrCivile konsistojnë në dy drejtime:
A. Gjykimi në Apel me trupë të përbërë nga një gjyqtar i vetëm.
Gjykata e Apelit do të shqyrtojë me një gjyqtar të vetëm këto çështje:
a) ankimet kundër vendimeve për paditë me vlerë deri në 20-fishin e pagës minimale në shkallë vendi, që rrjedhin nga marrëdhënie kontraktore,
b) ankimet e veçanta kundër vendimeve jopërfundimtare dhe atyre të ndërmjetme, me përjashtim të ankimit të veçantë kundër vendimit të ndërmjetëm të parashikuar në paragrafin e parë, të nenit 370, të KPrC.
c) rastet e tjera kur në KPrC ankimi i veçantë parashikohet si mjet kundërshtimi për vendimin e gjykatës.
ç) ankimet kundër vendimeve të gjykatës së shkallës së parë për kërkesën e heqjes dorë nga gjykimi dhe të heqjes dorë nga e drejta e padisë, si edhe kërkesat e heqjes dorë nga gjykimi ose nga ankimi apo ankimi i veçantë, të paraqitura në gjykatën e apelit.
d) ankimet dhe ankimet e veçanta kundër vendimeve të dhëna në fazën e ekzekutimit
dh) ankimet e veçanta kundër vendimeve për rrëzimin e kërkesës për ndihmën juridike dytësore.
e) raste të tjera të parashikuara në KPrC.
B. Lëshimi i Urdhërit të Ekzekutimit nga noteri publik.
Janë tituj ekzekutiv:
a) vendimet civile të formës së prerë të gjykatës, që përmbajnë një detyrim, vendimet e dhëna prej saj për sigurimin e padisë, si dhe për ekzekutimin e përkohshëm;
b) vendimet penale të formës së prerë në pjesën që bëjnë fjalë për të drejta pasurore;
c) vendimet e një gjykate arbitrazhi në Republikën e Shqipërisë,
ç) vendimet e gjykatave e të arbitrazheve të shteteve të huaja që u është dhënë fuqi sipas dispozitave ligjore në fuqi;
d) aktet noteriale që kanë formë të ekzekutueshme, si dhe aktet per dhënien e kredive bankare ose aktet për dhënien e kredive nga institucionet financiare jobankare;
dh) kambialet, çeqet e letrat me urdhër që barazohen me ato;
e) akt marrëveshjet me të cilat bashkëshortët japin pëlqimin reciprok për zgjidhjen e martesës së tyre, nëpërmjet kundërfirmimit të saj nga avokatët e tyre dhe të vërtetuara zyrtarisht nga Noteri, në përputhje me masat e parashikuara nga Kodi Familjes;
f) titujt ekzekutiv të lëshuar nga nëpunësit publik ose personat juridik të të drejtës publike të cilësuara si të tilla me ligji, ose vendimet të cilave ligji u jep efektet e një vendimi;
g) aktmarrëveshjet e ndërmjetësimit;
gj) aktet e tjera që sipas ligjeve të veçanta quhen tituj ekzekutivë dhe ngarkohet zyra e përmbarimit për ekzekutimin e tyre.
Siç shihet, një numër i konsideruar çështjesh do të gjejnë zgjidhje jo më nëpërmjet një vendimi gjykate por një akti noterial ose akti shkresor të nxjerrë nga organi publik kompetent.
Risia që vjen me këto ndryshime është edhe zgjidhja e martesës tek noteri në rastet kur ajo zgjidhet me marrëveshje dhe me kushtin e kundërfirmimit jo vetëm nga bashkëshortët por edhe nga avokatët e tyre.
Teorikisht këto ndryshime janë të mirëpritura por duhet që nga ana e Ministrisë së Drejtësisë të rriten masat e kontrollit mbi veprimtarinë e noterëve publik në mënyrë që të mundësohet e njëjta siguri e garanci ligjore që ofronte gjykata.