Aksioni kundër SPAK si Lëvizja “Woke” në SHBA!

U organizua protesta e dytë e Berishës, pas asaj të Metës, përballë institucioneve të SPAK e GJKKO, për shkak se palët ndërgjyqëse kanë pretendimet e tyre në lidhje me papajtueshmërinë e përfaqësuesve të organit të akuzës dhe trupës gjykuese.

Me ndihmën e medias, duke u artikuluar në çdo banak televiziv, këto pretendime janë kthyer në kryefjalë e ditës. Irena Gjokës, Enkelejda Millonait, Engert Pëllumbit, Ols Dados dhe të gjithë trupës së SPAK e GJKKO po i bëhet biografia e po nxirren të dhëna në lidhje me të shkuarën e tyre duke i hedhur për konsum në opinion e theksuar fort a thua se u zbulua rrota e demokracisë dhe e shtetit të së drejtës.

Në fakt, shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk preket fare dhe nuk i intereson se çfarë vendos një gjyqtar në seancën pergatitore diku në një proces gjyqësor, apo se nipi, mbesa, kunati apo baxhanaku i kujt është ai që merr vendimin. Për shembull: çfarë i duhet një farmacisti, dentisti, arkitekti, eksperti kontabël, menaxheri shitjesh, taksisti, mobiljeri, punonjësi karburanti, fatorinoje dhe 95% të popullsisë, se çfarë ka thënë për Berishën daja Engert Pëllumbit në vitin 2000?!

Do thotë dikush se, është lideri i opozitës. Edhe?! Kështu i bie që dilemat e Erion Veliajt se kush është Nesti Angoni dhe pretendimet e tij për papërdorshmëri të kallëzimit anonim, të kthehen në hall të mbi një milion banorëve të kryeqytetit.

Prandaj, këto janë aspekte shumë periferike për interesin publik të cilat zgjidhen në sallën e gjyqit nëpërmjet kërkesave e ankimeve, garanci të cilat ligji procedurial penal ia jep palëve në gjykim pa dallim bindje, krahine e ideje. Tre shkallët e gjykimit, ankimi kushtetues dhe ai në Gjykatën Europiane e të Drejtave të Njeriut, janë garanci shtesë se një çështje nuk fillon e mbaron te Millonai, Gjoka, Pëllumbi apo Davidhi.

Kështu që, krahasimi i aksionit kundër SPAK me Lëvizjen “Woke” absolutisht qëndron. Shqetësimet, dilemat dhe çdo ndjesi tjetër, që i përkasin një pakice absolute, po kërkohen të kthehen dhunshëm në kauzë të shumicës. Ndërkohë, problemet reale të shoqërisë shqiptare janë ekonomia, emigrimi, rendi, shëndetësia e mbi të gjitha; shpërdorimi i pushtetit dhe kultura e pandëshkueshmërisë së klasës politike.

“Woke” ose “zgjimi”, i referohet ndërgjegjësimit mbi paragjykimet racore dhe diskriminimit. Më vonë u zgjerua për të mbuluar edhe çështje të tjera të pabarazisë sociale në lidhje me gjininë dhe orientimin seksual. Në vitet e fundit është përdorur si term për lëvizjet politike të ekstremit të majtë, më theks në politikat e identitetit të njerëzve me ngjyrë, komunitetit LGBT, dhe grave. Kjo lëvizje, duke përdorur edhe mekanizmat politik e mediatik, arriti t’i imponohet shoqërisë amerikane aq sa u fut edhe në programe shkollore duke trajtuar çështje thellësisht personale si probleme të të gjithë amerikanëve. Teoritë se “Nuk ka rëndësi se si je por se si ndihesh” u kthyen në bezdi te qytetari i cili kishte si shqetësim real ekonominë, sistemin shëndetësor, emigracionin e paligjshëm, kostot që paguan Amerika për luftërat nëpër botë, shqetësime këto që u kthyen në vullnet të republikanëve për t’iu dhënë zgjidhje.

Kështu edhe eksponentët partiak në Shqipëri të proceduar penalisht, me pretendimet e “republikës së prokurorëve”, “organizatës kriminale të SPAK” apo “dumdumanëve”, po mundohen ti imponohen shumicës dërrmuese se ata janë shtresë e margjinalizuar dhe se po persekutohen nga SPAK e GJKKO. Pra, ata të cilët prokuroria i ka marrë nën akuzë për korrupsion, po tentojnë të bindin opinionin publik se edhe pse janë akuzuar publikisht nuk ndihen si të korruptuar.

Edhe pse në çdo sondazh rezulton se mbështetja ndaj SPAK e GJKKO del në nivele të larta, lëvizja woke e politikës shqiptare nuk pyet se çfarë duan zgjedhësit pasi formula zgjedhore mban në lojë dy partitë e mëdha si dhe lista e mbyllur prodhon besnikë të verbër të kryetarit. Kaq i duhet secilit prej tyre që sot ndodhet nën akuzë, një grup parlamentar për të mbajtur gjallë teoritë me sovranitete që cënohen nga forca të jashtme e jo mike për demokracinë shqiptare. Dhe këtë e thotë një klasë politike që e futi në vitin e 35-të tranzicionin politik, e mbi të gjitha, që kërkon të na bindë se nuk ndihen të korruptuar.

Shpërndaje