Në konferencën me gazetarët, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka theksuar se, për PD-në, një prokuror apo gjykatës që ka zbatuar ligjin mund të garojë për 5 mandate, por ata që janë pjesë e grupeve kriminale meritojnë vetëm dënim.
Një përgjigje kjo, në dukje e përgjithshme por që ka një mesazh të madh: Berisha bën hapa pas. Jo vetëm duke hequr dorë nga retorika për shkrirjen e SPAK por duke pranuar shtyrjen edhe për një mandat për prokurorët aktual të cilët i ka konsideruar si pjesë e organizatës kriminale.
Po del qartë se politika do e shfrytëzojë zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK si një shans të dytë për të negociuar jo vetëm pozitat politike por edhe ato juridike e penale.
Pjesë nga fjala:
“Për PD-në, një prokuror apo gjykatës i cili ka zbatuar ligjin mund të garojë për 5 mandate. Por kriminelët, anëtarë të organizatës kriminale e kanë vendin në burg. Nuk i njoh të gjithë prokurorët e Skapit të jemi i sinqertë dhe ata që nuk i njoh dhe kurrë nuk i marr për kriminelë. Por ata që unë kam emrat e tyre, me në krye Dumanin, ata meritojnë vetëm burgun dhe jo mandatin e dytë apo të tretë e me radhë.
Kështu që ndihmës zv/sekretari i shtetit u shpreh për të kandiduar, por jo atë që thotë Dumani, të ma zgjasin mandatin kushtetues. Është tjetër zgjatja e mandatit. Dumani kërkon që ti bëhet për 18 vite, ajo nuk ndodh, nuk mund të bëhet kurrë. Rigara, rigarimi nëqoftëse ai zbaton ligjin nuk ka asnjë arsye të dalë nga sistemi.
Një proces me kushte, do të bëhej me kushte që të dënoheshin të gjithë ata që kanë fjetur mbi dosjet e krimit dhe kanë bashkëpunuar me kriminelët. Po, në këtë rast plotësisht. Nuk kam atë koncept unë që, ai që ka qëndruar i ndershëm, nuk është korruptuar, ka qenë i guximshëm të mos qëndrojë në detyrën e tij. Të mos ketë të drejtë të rigarojë”, u shpreh Berisha.