Kërkesa nga SHBA-BE për zgjatjen e mandatit të prokurorëve të SPAK, sidomos e kreut të saj Altin Dumanit, është një mundësi e dytë që do i jepet klasës politike, kryesisht dyshes Berisha-Rama, për të negociuar pozitat e tyre në raport me vullnetin amerikan për të luftuar korrupsionin në nivele të larta.
Unë jam i bindur se treshja Berisha-Meta-Rama, nuk e morën shumë seriozisht votën unanime që i dhanë reformës në drejtësi në vitin 2016. E kanë menduar se tej çdo ndikimi të jashtëm, në fund të fundit, institucionet e reja do të dilnin nga parlamenti shqiptar dhe do të përbëheshin po nga shqiptarë (kunati, baxhanaku, nipi, mbesa, i këtij apo atij). Nëse nuk do josheshin me lekë e karrierë, do intimidoheshin sipas teknikave të ish Sigurimit të Shtetit.
Ja pra që doli një Altin Duman, Irena Gjokë apo Enkeleda Millonai, e shumë të tjerë, që as nuk u joshën nga ofertat dhe as nuk u trembën nga presionet. Berisha e kuptoi se nuk u dashka marrë me kaq sportivitet veprimtaria e SPAK dhe GJKKO vetëm pasi qëndroi 330 ditë arrest shtëpie. Rama pasi pa që njerëzit më të afërt të tij po procedohen e gjykohen. Dhe Meta, pasi u arrestua sikur të ishte më i forti i pazarit të ri edhe pse e kishte për retorikë politike më tepër se ndihej realisht i atillë.
Sot, dy personat më ofertues dhe që mund të ulen në negociata janë Edi Rama dhe Sali Berisha. Në këmbim të lirisë, Rama të ofron pushtetin ndërsa Berisha opozitën. Të gjithë të tjerët që vijnë pas tyre, të përgatiten se kohë të vështira i presin. Madje edhe Ilir Metën, se ndryshe nga Rama e Berisha, nuk ka çfarë oferton. 100 mijë votat e PL nuk i duhen askujt.
Praktikisht mendoj se drejt kësaj axhende po shkojmë por, teorikisht, ekziston edhe Varianti B; që këto të bëhen të gjithë bashkë, si palë e vetme, përballë partnerëve, duke e futur vendin në një kurs të rrezikshëm konflikti me SHBA. Kjo është pothuaj e pamundur të ndodhë sepse do këllqe, të cilat kjo klasë politike nuk i ka. Ose, suport rus e kinez veçse të përgatiten pasi në Adriatik ankorohen luftanijet e NATO-s, garanci që na e dha qeveria “Berisha” kur na bëri pjesë të aleancës politiko-ushtarake më të fuqishme në botë.
Kështu që, duke patur parasysh se reforma në drejtësi ka nisur me administratën e Obamës, u ngrit me administratën e Trump 1 dhe filloi të japë rezultate me admimistratën Biden, shanset që SPAK e GJKKO të shkrihen janë pothuajse zero. Prandaj e përsëris se: zgjatja e mandatit të prokurorëve të SPAK, e sidomos e kreut të saj Altin Dumanit, është shansi i dytë, besoj i fundit, i elitës të politikës së tranzicionit.