Vrasja në Ndroq|Berisha: Autori u lirua nga prokurori Dado. Reagon SPAK: Informacione të pasakta e spekulative.

SPAK ka dalë me një deklaratë për median për të përgënjeshtruar lajmin se prokurorri i SPAK Ols Dado ka liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit, i dyshuar si autor i atentatit të ndodhur sot pasdite në lokalin Kështjella ku u ekzekutua Alfred Dedja.

Lajmi si fillim pati si burim Facebook e Sali Berishës i cili duke u fshehur pas ‘qytetarit digital’  shkruajti se Dado kishte liruar Julian Gjoshën, ndërkohë nga përgjimet e SKY ECC kishte rezultuar se Altin Hajri kishte kërkuar ndihmë tek ish deputeti i PS-së Jurgis Çyrbja për ta liruar kunatin e tij, vëllai i gruas së Hajrit.

 

Reagimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përgënjeshtron deklaratën e sotme përmes të cilës aludohet se prokurori i posaçëm, Ols Dado “ka liruar nga burgu kunatin e Altin Hajrit”.

SPAK sqaron se informacionet që janë përmendur në këtë deklaratë janë tërësisht të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me prokurorin e përmendur.  SPAK i bën thirrje mediave dhe opinionit publik të jenë të kujdesshëm ndaj informacioneve të pasakta dhe spekulative.

SPAK apelon për një trajtim të përgjegjshëm dhe të balancuar të informacionit nga ana e përfaqësuesve politikë dhe mediave dhe nënvizon se do të vijojë punën pa asnjë kompromis në ruajtjen e integritetit dhe besueshmërisë së publikut në ushtrimin e funksioneve të tij.

 

Si qëndron e vërteta

Ngjarja të cilës i referohet Berisha ka të bëjë me shoqërimin e personit Julian Gjoshi në janar të vitit 2021 ku akuzohej për veprën penale të “Mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, të parashikuar nga nenet 278/1 dhe 291 të Kodit Penal.

Blogu.al ka siguruar kopje të vendimit të gjykatës të vleftësimit dhe caktimit të masës së sigurimit personal. Referuar këtij vendimi rezulton se gjyqtar i hetimeve paraprake rezulton të jetë gjykatësi Arben Micko dhe prokuror i çështjes, prokuror Hysni Mulaj.

Pra, duket qartë se Prokurori i SPAK Ols Dado nuk ka lidhje me çështjen në fjalë. E jo vetëm kaq por për periudhën në të cilën bëhet fjalë ai ka qenë i emëruar në Drejtorinë e Marredhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme. Detyrë të cilën e ka mbajtur deri në mars të 2023 ku më pas ka kaluar në Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion, fillimisht si i komanduar dhe pas një viti i emëruar.

 

Çfarë deklaroi Berisha

Olsi Dado liroi vrasësin nga burgu!

Miq, autorin e vrasjes në Ndroq, e liroi nga burgu anëtari i organizatës kriminale, SKAP-i i Partisë Olsi Dado!

Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital!

Pershendetje Dr Autori i vrasjes se sotme ne Ndroq Julian Gjishi rezulton si personazh ne aplikacionin Sky Ecc ku Altin Hajri dhe Jurgis Çyrbja diskutonin per lirimin e tij pasi ishte kapur me arme … ku prokurori qe litoj Julian Gjoshin rezulton Ols Dado aktualisht Prokurori i SPAK.

Shpërndaje