Tjetër shuplakë për qeverinë|Konventa e Bernës kërkon ndalimin e punimeve për aeroportin e Vlorës

Nga Vladimir Karaj

Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës përsëriti të martën thirrjen për qeverinë shqiptare për të ndaluar punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës brenda zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, duke vënë në dukje shqetësimin për dëmtimin e biodiversitetit. Komiteti shprehet se qeveria shqiptare po shkel marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës.

“Keqardhjen e madhe që ndërtimi i aeroportit vazhdoi pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga Byroja për të pezulluar ndërtimin deri sa të kryhet një Procedurë e re dhe e mjaftueshme e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor (VNM) dhe një vlerësim i duhur i ndikimeve mjedisore”, thuhet në qëndrimin e Komitetit të shpërndarë për mediat nga organizata EuroNatur dhe organizatat partnere shqiptare, PPNEA dhe EcoAlbania.

Sipas njoftimit për shtyp, Komiteti kritikoi gjithashtu ligjin e ri për zonat e mbrojtura. “(Shprehim) Shqetësim të thellë se ligji i ri për zonat e mbrojtura mund të bjerë ndesh me parimet dhe detyrimet e përcaktuara në Konventën e Bernës, duke mundësuar potencialisht shkeljen e dispozitave të saj”, thuhet në deklaratë, ku kërkohet rishikim i ndryshimeve.

Olsi Nika, drejtor Ekzekutiv i EcoAlbania thotë se ndajnë të njëjtat shqetësime me Konventën e Bernës dhe se kërkojnë rishqyrtim të ligjit dhe shfuqizim të pikave problematike. “Miratimi i ligjit të ri për zonat e mbrojtura është një precedent i rrezikshëm dhe sistemik që mund të legjitimojë projekte shkatërruese brenda zonave të mbrojtura, duke çuar në një fragmetim të pakthyeshëm ekologjik të tyre në të ardhmen,” tha Nika.

Zydjon Vorpsi nga PPNEA thotë se punimet në aeroport do të shkatërrojnë zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë. “Është për të ardhur keq që kantieri i ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po shndërrohet në një kantier shkatërrimi për Vjosën-Nartën. Vetë aeroporti do të jetë mjaft shkatërrues, por ajo që vjen me të është edhe më keq,” tha Vorpsi.

Konventa e Bernës ka bërë thirrje të përsëritura për ndalimin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës, duke e cilësuar zonën e mbrojtur Vjosa-Nartë si një “strehë për shpendët shtegtarë, zogjtë ujorë dhe specie të tjera të rralla”. Ata i kanë kërkuar qeverisë të marrë masat për të përpiluar një raport serioz të ndikimit në mjedis.

 

Shpërndaje