Lulzim Basha ka folur për shpalljen non-grata të Sali Berishës dhe përjashtimin që i bëri nga grupi parlamentar pas këtij vendimi.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Basha tha se ishte tronditur nga vendimi i SHBA dhe deklaroi se ai negocoi që të Berisha të quhej i pezulluar dhe jo i përjashtuar, pasi amerikanët, sipas tij, nuk e donin as në Parlament.
Biseda në studio:
Ylli Rakipi: Shpallja non-grata e Berishës, mendoni se ishte një vendim i drejtë? Ishte për ju Berisha një njeri i korruptuar që kishte punuar për të pasuruar rrethin e tij të afërt?
Lulzim Basha: Ndjesia e parë kur është publikuar vendimi ka qenë një ndjesi shoku, tronditje, e cila vinte për shkak të gjuhës jashtëzakonisht të ashpër dhe të drejtpërdrejt që përdorej, korrupsion madhor, pasurim i vetëvetes, familjarëve, aleatëve, ndërhyrje në procese publike dhe dua të them, po, tronditja vinte në dy aspekte. E para e punës, sepse vetë zoti Berisha kishte investuar në imazhin e një njeriu që luftonte korrupsionin dhe një imazh që PD kishte vazhduar të luftonte në këtë imazh dhe e dyta, vinte pikërisht nga fakti që ky njoftim vinte vetëm javë pas rezultatit të 25 prillit dhe asaj që ne kishim përjetuar si një masakër zgjedhore. Pra, ta them troç, nuk isha i vetmi që mendonim, ne presim të shpallet Rama non-grata, për gjëra shumë më të rënda, kur na vjen ky njoftim për Berishën. Nëse më pyet për atë ditë ky ka qenë reagimi i parë.
Ylli Rakipi: Nuk e menduat që ky mund të ishte një vendim i lobuar nga kundërshtari juaj?
Lulzim Basha: Natyra e vendimit, është e kot të mohoj se në ato ditë të para kemi menduar lloj lloj skenarësh. Natyrisht që kemi patur komunikimet tona zyrtare, diplomatike por edhe të drejtpërdrejta, me aktorë të ndryshëm të administratës së atëherëshme dhe miq tanë në SHBA. Nga miq të besueshëm, jo vetëm të mitë por edhe të Berishës, na është thënë që ky është vendim që nuk merret lehtë, nuk merret nga një person i vetëm, nuk merret nga një agjensi e vetme dhe na është përmendur se vendimi shpallet nga DASH por merret nga 15 përfaqësues agjensisë të ndryshme. Pra, si me thënë shoku i ditëve të para, i la vend realizmit që përballeshim me një realitet politik, institucional dhe jo me akt të thjeshtë lobimi, siç për fakt të keq, ndoshta nga shoku dhe pastaj nga axhenda që ndoqi është përpjekur ta paraqesë zoti Berisha. Ky vendim është marrë në një procedurë, e cila përfshinte 15 institucione amerikane.
Ylli Rakipi: Ne dimë që pati presion nga amerikanët për përjashtimin e Berishës. Nëse nuk e përjashtonit Berishën, cfarë ndodhte?
Lulzim Basha: PD rrezikonte izolimin e saj total, në një moment kur kishte nevojë më shumë se kurrë të ndërkombëtarizonte dhe ti jepte legjitimitet kombëtar, kauzës më të freskët, vjedhja e zgjdhjeve dhe kauzës konstante që ishte lidhja e ngushtë e qeverisjes me krimin e organizuar. Pra, prioriteti politik mbi fatin e një individi.
Ylli Rakipi: Kishit ju dilema për vendimin që morët? Përveç amerikanëve, edhe ju ngritët pushkën për të vrarë babain politik?
Lulzim Basha: Sic e thatë edhe vetë, kërkesa ishte për përjashtimin e tij, madje që të mos hynte as në Parlament. Ndërkohë që duke përdorur të gjithë kapitalin tim politik ndërkombëtar, që nuk ka qenë asnjëherë i pakët apo modest, vendimi që kam komunikuar ka qenë pezullimi i tij nga anëtarësia, deri në zbardhjen e cështjes, që kishte deklaruar se do ta ndiqte në rrugë gjyqësore dhe institucionale. Si një vendim që u përshëndet nga SHBA, reflektonte një kompromis të dukshëm edhe nga pala amerikane, me kërkesën fillestare. Ky duhet të kishte qenë një stacion i mbyllur në atë moment, që do ti jepte mundësi një partie demokratike, të pashkalafitur nga lufta që nisi zotëria, të bënte betejën e vërtetë të cilën prisnin shqiptarët, për zgjedhjet, korrupsionin, krimin e organizuar, duke lënë mënjanë problemin individual të zotit Berisha dhe duke pritur që investimet që ai do të bënte te jepnin ose jo rezultatin e duhur, por duke i dhënë mundësinë PD-së të vazhdonte misionin. Dhe misioni i një partie nuk mund të jetë kurrë fati personal i një individi por duhet të jetë fati i shoqërisë dhe vendit.
Ylli Rakipi: Nuk menduat që vendim mund të rezultonte fatal për ju, duke patur parasysh natyrën e Berishës? Berisha është njeri hakmarrës shumë. Ju e njohët atë ndoshta më shumë se unë. Nuk e kishit kuptuar që kjo parti ishte një pronë e Berishës dhe ai mund t’ju hiqte, sic edhe bëri? Ju ishit me qira aty… Nuk menduat se firmosët edhe vetëvrasjen?
Lulzim Basha: Absolutisht isha i qartë për pasoja e mundshme të vendimit tim. Në çdo moment, kur je në pozita lidershipi ka një tension midis vendimit që duhet të marrësh në të mirë dhe vendimit që mund të marrësh edhe në raport me fatin tënd personal. Lidershipi i vërtetë njihet nga aftësia për të kapërcyer veten dhe për të marrë vendimin e duhur për grupin. Tipari i lidershipit është, sakrifikon grupin, korporatën, partinë, vendin apo sakrifikon dhe merr riskun për të sakrifikuar veten që të shpëtosh intereat e grupit. Bardh e Zi është kjo situatë dhe lidershipi ndahet në dy grupe. Ata që marrin në dorë riskun, për të marrë vendimet që i shërbejnë grupit, por ka edhe të tjërë që thonë, pas meje kjameti. Ju e përdorni fjalën pronë, zoti Berisha e sheh Partinë Demokratike si pronën e vet, që do të thotë, po më ndodhi mua dicka, këtë pronë e kam për ditë të zezë. Keq unë, keq prona…