Nata e festës së Shën Nikollit, ipeshkëv.

Sonte, 5 dhjetor, besimtarët katolikë kremtojnë natën e festës së Shën Nikollit, ipeshkëv. Pra, Kisha katolike romake kremton sonte natën e festës liturgjike të Shën Nikollit, ipeshkëv i Mirës në Azi të Vogël (Turqia e sotme), në shekullin e IV, një ndër shenjtorët e dëshmitarët e Krishtit më të nderuar nga besimtarët e krishterë si dhe ata shqiptarë, të të gjitha krahinave e madje edhe të besimit islam.

Të dhënat për jetën e Shën Kollit janë të pakta. Ka mundësi të ketë lindur në Pŕtara të Liçies, në Azinë e Vogël (Turqia e sotme), e pastaj të jetë zgjedhur ipeshkëv i Mirës, po në Liçie. Nikolla vdiq më 6 dhjetor të një viti të panjohur. Kulti i tij u përhap me shpejtësi në të gjithë Azinë e Vogël. Mjafton të kujtojmë se vetëm në shekullin VI, në Kostandinopojë iu kushtuan 25 kisha.

Tek varri i tij nisën të organizohen shtegtime. Shumë shkrime në greqisht e në latinisht e bënë të njohur figurën e tij në mbarë botën bizantino-sllave e perëndimore, duke filluar nga Roma e deri në Jug të Italisë. Por më se shtatë shekuj pas vdekjes së tij, kur Pulia e Italisë u pushtua nga normanët, Nikolla i Mirës u bë Nikolla i Barit.

Shtatëdhjetë e dy marinarë barezë, pasi zbarkuan në Azinë e Vogël, të pushtuar nga turqit, arritën tek varri i Shën Kollit, ia morën me nderim të thellë eshtrat dhe, më 9 maj 1087, u kthyen në Bari, të pritur me triumf: Shenjti u shpall menjëherë Pajtor i qytetit. Më 29 shtator të vitit 1089, pas një qëndrimi të shkurtër në një Kishë të qytetit, reliket e Shenjtit u vendosën përfundimisht në kripten e përgatitur pranë bazilikës që u ngrit mbi to. Do të ishte vetë Papa Urbani II që do t’i vendoste reliket në elter. Në fund të shekullit XX Bazilika, që Papa Piu XII ia besoi Etërve Dominikanë, u kthye në vend takimi ndërmjet Kishave të Lindjes e të Perëndimit dhe në seli të Institutit të teologjisë ekumenike “Shën Nikolla”.

Sipas gojëdhënave, Shenjti kreu mrekulli pas mrekullie. Pothuajse çdo gjest të tij gojëdhëna e kthen në mrekulli: shpëton mrekullisht tre zyrtarë nga vdekja, e mbron qytetin e Mirës nga thatësira, qetëson një stuhi të tmerrshme në det, ngjall së vdekuri tre fëmijë të mbytur, e mrekulli të tjera, të cilat kujtohen edhe në këngën tradicionale që shqiptarët e këndojnë sërish natën e festës së Shenjtit, me devocion të jashtëzakonshëm, nën dritën e qiriut të trashë, ndezur për nder të tij.

Po Shën Nikolla u dallua për fenë e gjallë në Mësuesin Hyjnor, Jezu Krishtin dhe posaçërisht për kujdesin e ndihmën për të varfrit,. Prandaj shën Nikolla është për të gjithë ne shembull i bamirësisë ndaj të varfërve, mbrojtës i të vërtetave të fesë së krishterë dhe i dinjitetit të çdo njeriu, dëshmitar i guximshëm i fesë në Zotin.

Edhe ndër shqiptarë, shumë njerëz thirren me emrin Nikollë, emër që duke iu përshtatur gjuhës shqipe, njihet me trajtat: Kolë, Koli, Kole dhe Lec. Tradita të bukura e prekëse lidhen me kremtimin e festës së Nikollit në treva shqiptare. Me këtë rast është traditë ndër katolikë të Shqipërisë të flijohet një gjel ( këndes ); ndër shqiptarë të Kosovës – një qengj. E sidomos është traditë që sonte, natën e së kremtes së Shën Nikollit, familjarët para se të darkojnë së bashku e me miq, të ndezin Qiriun e Shën Kollit, të këndojnë këngën e lashtë “Sa punë të mëdha e mrekulli, që ka ba Shejti Shën Kollë” dhe t’i lutën Zotit, së bashku, përmes ndërmjetësimit të Shenjtit të mrekullive.

Pra, të gjithë atyre që e lusin këtë festë, për shumë mot, me ndërmjetësimin e Shën Nikollit, Zoti Atë ua dhuroftë hire e bekime Hyjnore e ua të plotësoftë dëshirat e mira.

 

Kanga e Shën Nëkollit

Sa punë të mëdhaja e mrekulli

Qi ka bâ Shejti Shën Nkollë,

Difton qiella me lumni

E gjithë bota s’pranë tue folë.

Lundërtari tue vozitë

e skamnori që lypë bukë,

kangë e lavde s’rrinë pa qitë;

Si shtegtari që ban rrugë.

Si i pasë, si ai që s’ka,

N’pasët ndoj smundje a çdo idhnim,

Fill te i lumi pa ia dá

N’ ujë t’ Shën Nëkollit gjenë shërim.

Qysh se leu n’ kët botë ky fmí,

Kje si hylli që shkelxen,

Kje si drita tanë mirsí

Gjindja u mbushen me gazmend.

Ai kje i pastër si bilur,

I dha trupit të madh shtërngim

E n’e prende e n’e merkurr

gji nuk merr, ban agjinim.

Tue u rritë me shumë urtí,

Shpejt e ngjiten prindja në shkollë;

E nji të madhe mrekullí

Hin e ban Shejti Shën Nëkollë.

Kur prej shkollës po kthente n’ shpí

Hasë nji grue që ish’ tue dekë

E ky djalë plot me dashtëní

tue i bâ kryq prej dekës e hjekë.

Adeodati, djalë dishiri,

Kje grabitë e çue në mergim

E i Shën Nëkolli prej Misiri

Për ajrí e çon në lirim.

Tri kuleta janë dërgue

Ndër tri vajza mbetun shkret,

Prej dritorjet shkon me i çue,

E ato me nderë i qet.

Tre fmí të mbytun prej mizorit,

Shtî n’ nji sheke copë e grimë,

I ktheu në jetë pa kurrfarë zorit

I Shën Nëkolli me ‘i bekim.

Fushë e male, tokë e dét,

Uj e zjarm e diell e hanë,

Sa fuqí mbi dekë e jetë

Ka Shën Nëkolli, diftue e kanë.

Dridhet ferri prej idhnimit,

Kur Shën Nëkolli n’ ball flakron,

Hikë shejtani pre tmerimit

Kur i k’shteni ndihmë kërkon.

Por nji të madhe porosí

O i Shën Nëkollë, nji të madhe nderë

Na fal t’ gjithve si dhantí

Ndore tande t’ jemë përherë.

E n’at ditë që të jetë shenjue

Prej kso jete na me u hjekë,

Ndore tande kjoshim lshue

Ku gjithmonë na kjeme pshtetë.

O i Shën Nëkollë plot me dashtní,

Shpirtënt tonë ti na i kujtò,

Prap po të bâjmë ket porosi:

ti n’at’ jetë të gjith na pshtò!

Marrë nga ‘Katekizmi i Kishës katolike’.

Shpërndaje