Baza detare e Sarandës do të mbetet nën sekuestro. Gjykata Kushtetuese, nëpërmjet Vendimit Nr. 79, datë 12.11.2024, ka vendosur rrëzimin kërkesës së kompanisë “Marina Bay Saranda” për të shfuqizuar sekuestron e vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Krimit dhe Korrupsionit si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Baza detare e Sarandës u sekuestrua me vendim të GJKKO në shkurt të këtij viti, pas kërkesës së SPAK me arsyetimin se privatizimi i bazës kishte cënuar operacionalitetin e forcave detare.
Historiku i privatizimit dhe procedimi
Në 1 korrik të vitit 2020, Ministria e Financave nënshkroi me kompaninë Marina Bay Saranda një kontratë qiraje me vlerën 1 euro për dhënien e 265 mijë metër tokë publike në Gjirin e Limionit, në Sarandë. Sipas projektit, kompanitë do të ndërtonin aty një port jahtesh si dhe një resort turistik me vila, hotele dhe apartamente.
Por brenda sipërfaqes prej 265 mijë metrash, gjenden dhe 40 mijë metër tokë, pjesë e bazës detare të Sarandës, që është në pronësi të Flotës Detare.
Hetimi për këtë çështje ka nisur pas një kallëzimi të ish Zv.Komandantit të Forcës Detare Artur Meçollari, sipas të cilit, dhënia me qera është bërë në shkelje, pasi kjo bazë është pjesë e Planit të Vendosjes dhe të Përhapjes së ushtrisë, e për këtë arsye do duhej marrë dhe miratimi i Presidentit të Republikës, në cilësinë e Komandatit të Përjithshëm të Forcave të armatosura.
Qeveria nga ana e saj i është referuar një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2014 “për përcaktimin e kritereve, procedurës dhe mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontratave të tjera të pasurisë shtetërore”. Sipas saj, bëhet fjalë për shfrytëzim me qira, dhe jo nxjerrje nga Plani i Përhapjes dhe Vendosjes, gjë e cila do të kërkonte dhe miratimin nga Presidenti.
Por sipas zotit Meçollari, në padinë dorëzuar në SPAK, në vitin 2021 “pronat në përputhje me ligjin nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA” konsiderohen si kapacitete operacionale të miratuara nga Presidenti i Republikës në listën e Planit të Përhapjes dhe Vendosjes.
Veprimet mbi pronat e Forcave të Armatosura, që konsiderohen kapacitete operacionale, duhet të trajtohen jo vetëm sipas ligjit Nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, por edhe ligjit nr. 64/2014, “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe komandimit në FA”.
Për këtë çështje zoti Meçollari u thirr dy ditë më parë në Prokurprinë e Posaçme, në cilësinë e kallëzuesit. Paralelisht me të, për më shumë se 3 orë qëndroi në Prokurori edhe ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, Bardhyl Kollçaku, aktualisht deputet i Partisë Socialiste.
Zoti Meçollari ka depozituar prej kohësh dhe një padi të dytë për një ndërtim privat në brendësi të bazës ushtarake në Shëngjin.