Kritika shqiptare ndaj faljes së Hunter Biden, si tentativë e legjitimimit të anti-shtetit! Nga Indrit Vokshi

Joe Biden, fal djalin e tij, Hunter Biden.

Çohen shqiptarët, japin gjykimin. Duhet theksuar se falja është kompetencë ligjore e presidentit të ShBA, e ka artikulli II, seksioni 3 i Kushtetutës. Nuk është diçka e paligjshme.

Donald Trump psh, ka akorduar 237 falje. Ka falur Paul Manafort, Roger Stone, Michael Flynn, Steve Bannon etj. anëtarë të stafit të tij. Ka falur 8 kongresmenë republikanë. Disa natën e fundit të detyrës.

Barack Obama ka falur 1927 njerëz kur po ikte nga zyra. Clinton ka falur 470, natën e fundit, dhe është kritikuar se ka falur Mark Rich, donator i Hillaryt. Bushi i Parë ka falur 75, Regan 393, Carter, 534, e me radhë. Është tip tradite e presidentëve që natën kur dalin nga zyra akordojnë falje.

E ka Amerika ketë. Çohen shqiptarët tash, dhe duan të delegjitimojnë “demokracinë amerikane” përmes standardave dhe steriotipeve të tyre. Falja e djalit nga vetë Biden, është ligjore! A është morale? Jo shumë, pasi të falësh nga familja e ngushtë, bie pak keq. Mirëpo nuk është shkelje e demokracisë as shtetit ligjor, përderisa ia njeh Kushtetuta. Ligji është mekanizmi i konsensusit.

Presidenti i ShBA, fal me ligj, me kushtetutë, pranon se personi i falur ka faj dhe sipas filozofisë të së drejtës amerikane, falet. Këta duan ta paraqesin sikur e fali paligjshmërisht.

Çfarë tu bëjmë disave këtu në Shqipëri të cilët në 30 vjet, djalin, vajzën, gruan, motrën, nipin, mbesën, kushëririn, klientin, nuk i kanë falur me ligj, por i kanë falur me dhunë, duke mos lejuar prokuror as gjyqtar t’i gjykojë?

Gjysma e të keqes nëse do të kishim “kritikë akademike” e të argumentohej kundër sistemit ligjor amerikan në favor të një sistemi tjetër ligjor. Mirëpo këtu kritikohet me qëllim që të zhvlerësohet çdo ligj e çdo sistem dhe të dominojë logjika: ja atje ka korrupsion, duhet pranuar edhe korrupsioni ynë.

Anti-shteti dmth.

Shpërndaje