Sot shënon data 8 dhjetor, Dita e Rinisë. Ditë në të cilën, në vitin 1990, nisën protestat studentore që sollën rrëzimin e regjimit diktatorial më të egër të ish bllokut komunist.
Si çdo vit tjetër, Partia Demokratike kishte organizuar aktivitet përkujtimor. Veçse kësaj rradhe, organizimi i ishte besuar organizatës partnere të PD, Forumit Rinor.
Në këtë aktivitet, nuk mungoi as Grupimi “Dhjetori ’90”, grupim i ngritur nga studentët e vërtetë që organizuan protestën e më pas grevën e urisë. Theksoj, studentët e vërtetë, pasi përgjatë 34 viteve demokraci kanë marrë merita e kapitalizuar politikisht shumë persona të dyshimtë në kanë qenë vërtetë studentë apo bashkëpuntorë të ish Sigurimit të Shtetit.
Ajo çfarë e bëri që festimet e sivjetshme të ishin ndryshe nga më parë ishte mungesa e fjalës nga përfaqësues të Grupimit “Dhjetori ’90” edhe pse ishin prezent në aktivitet. Këtë fakt e ka bërë publik zj.Irena Progni, dhjetoriste dhe themeluese e PD. Në profilin e saj në facebook ajo shkruan:
“Grupimi Dhjetor ‘90 në 8 Dhjetor 2024 !
Hera e parë në këto 34 vjet, që jo vetëm mungoi fjala e grupimit në aktivitetin e radhës në Qytetin “Studenti”, por as emri e heroizmi i këtij grupimi/lëvizjeje studentore nuk u përmend ! Keqardhje !
Gëzuar 8 Dhjetorin dhjetorist!”
Nuk duhet harruar fakti se me ndryshimet e fundit statutore pas rikthimit të Berishës në krye të PD, Grupimi “Dhjetori ’90” konsiderohet organizatë partnere njejtë me LDG e FRPD. Status i cili nuk u respektua në kuota përfaqësimi as në strukturat qendrore të partisë e as në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Pas reagimit të zj.Progni, në faqen e tij në facebook z.Berisha njofton një aktivitet të rradhës sot ora 18:00, me FRPD dhe Grupimin “Dhjetori ’90”, në ambientet e PD. Si duket, kjo vjen si formë kompensimi e mungesës së hapësirës që iu mohua në aktivitetin e paradites. Mbetet për tu parë se sa do marrin pjesë në aktivitetin e orës 18:00 por sot u vra simbolika e fjalës në vendin ku nisi revolta studentore që për dhjetoristët është vendi ku u thurën planet për një Shqipëri europiane e demokratike.