Gjatë një dalje televizive, kreu i Partiaë “Mundësia”, ish deputeti i PD z.Shehaj, në lidhje me çështjen “Xhaçka” ka pretenduar se atë e shpëtoi Lulzim Basha duke ngritur një ankim me objekt të gabuar në Gjykatën Kushtetuese.
Nga sa më sipër, ka reaguar zj.Mirela Karabina, zëdhënësja e Partia Demokratike – Demokratët Euroatlantik, duke përgënjeshtruar z.Shehaj pasi në periudhën që referon ai, z.Lulzim Basha nuk ka qenë kreu i Partisë Demokratike dhe se ankimin e ka bërë Gazment Bardhi që sot është n/kryetari i Sali Berishës.
Postimi i plotë:
Pak më parë, gjatë një dalje televizive, Agron Shehaj përdori emrin e z. Basha për të sulmuar grupimin e deputetëve të PD-së, që në 18 nëntor të vitit 2022 prezantuan një padi në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e Olta Xhaçkës.
Dua t’i rikujtoj z. Shehaj se në atë periudhë, kur z. Shehaj zgjodhi të luftonte korrupsionin në krah të një të sanksionuari për korrupsion madhor nga SHBA, z. Basha ishte dorëhequr nga funksionet e tij, ndërsa padia për të cilën flet z. Shehaj, u prezantua në GJK nga Gazment Bardhi, që sot është nënkryetar i Sali Berishës.
Nëse z. Shehaj ka informacion se z. Rama ka bashkëpunuar apo ka korruptuar për padinë në Kushtetuese të z. Bardhi dhe deputetët e tjerë, të gjejë guximin dhe t’i denoncojë me emër e mbiemër, dhe të mos përdorë emrin e z. Basha për anatemime të pavërteta.
Lufta ndaj korrupsionit kërkon guxim dhe koherencë, jo gjysmë të vërteta nga gjysmë politikanë.