Aksidentet me scooter në rrugët e Shqipërisë e veçanërisht në kryeqytet janë kthyer në një problem. Brenda harkut kohor të një viti ato thuajse janë trefishuar. Sipas statistikave zyrtare të spitalit universitar të traumës në vitin 2023 numërohen 214 aksidente me scooter, ndërsa në 10 muajt e parë të 2024 janë 554 aksidente të tilla.
Mjekët e shohin me shqetësim, për vetë faktin se moshat e përfshira në aksident janë të reja, ndërsa lëndimet të shumta, ndonjëherë edhe fatale.
“Kemi vënë re një shtim të konsiderueshëm nga viti në vit, do të thosha që në praktikën e përditshme, shohim nga 1 deri në 2 raste në ditë. Përgjithësisht aksidentet e shkaktuar nga scooter elektrik qoftë të vetë atij që nget scooter apo të personave të tretë që goditen, kryesisht janë raste të lehta por ne kemi patur raste sporadike të vdekjes se pacientëve. Fillimisht nis nga një ndrydhje kyci, dorës gishtërinjve por duke marr në konsideratë peshën e atij që nget scooter peshën e pajisjes, dhe shpejtësinë mund të rezultojë dhe fatale”-tha Ervin Nepravishta, mjek Spitali Universitar i Traumës, për Euronews Albania.
Rrezikshmëria që vjen nga scooterat vihet në pah edhe nga ekspertët rrugorë.
“Ndërpresin fluksin e mjeteve pa u siguruar për manovrën e tyre, qarkullojnë në zona të ngushta shpesh herë mes dy mjeteve ku shpesh nuk konstatohen nga drejtuesit e mjeteve dhe kjo ka çuar në rritjen e aksidenteve nga përdoruesit e dyrrotakëve”, tha Fadil Lika ekspert i sigurisë rrugore.