Revokimi i masës|Berisha tashmë i lirë nga arresti shtëpiak.

Gjykata e Posaçme revokoi ditën e sotme masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për kreun e PD-së, Sali Berisha, të vendosur që më 30 Dhjetor të vitit të kaluar në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

Sipas avokatit Genc Gjokutaj, vendikmi i GJKKO-së është i zbatueshëm që ditën e sotme. Nisur nga ky fakt, burime për mediat bëjnë me dije se Sali Berisha do shkojë në zyrën e tij në selinë e PD-së që ditën e sotme, duke u rikthyer kështu pas 331 ditësh në selinë blu.

“Mbi masën e kërkesës tonë, sot gjykata revokoi masën e arrestit të shtëpisë, një masë . Nga sot Sali Berisha është i lirë. Ndaj tij nuk ka asnjë masë tjetër sigurie. Gjykata përcaktoi se nuk ekzistojnë më kushtet që Berisha të qëndrojë në masa sigurie. Prokurori kërkoi që të lihej në fuqi masa “arrest shtëpie”. Kërkesa jonë është bërë pas vendimit të Kushtetueses. Vendimi i gjykatës është i zbatueshëm që sot, që sot ai është i lirë.”, tha avokati Genc Gjokutaj.

Vendimi është marrë nga gjyqtarja Flojera Davidhi, e cila u përcaktua me short për të marrë vendimin nëse çështja e dosjes “Partizani” do të dërgohet ose jo për gjykim.

Ajo mund të dërgojë për gjykim dosjen, mund ta kthejë pas për plotësim hetimesh ose e pushon çështjen. Davidhi brenda 10 ditësh cakton datën e seancës paraprake. Seanca për të marrë këtë vendim është planifikuar të mbahet më 16 Dhjetor në orën 11:00, pasi janë shtyrë dy seanca të mëparshme për shkak se avokatët e Berishës kanë kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me aktet e dosjes.

Shpërndaje