Avokati Besart Logu, për paraqitjen në SPAK të kreut të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, deklaron se në dyert e prokurorisë gjendesh si person që ke dijeni për rrethanat e ngjarjes, si person nën hetim dhe si person në akuzë.
Nga studio e MCN Live, ai tha se në të gjitha rrethanat kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit është në kushtet e shpërdorimit të detyrës.
Sipas tij, Agolli është një zyrtar klasik i shfrytëzimit në maksimum i postit që i jepet.
Pika të përgjithshme nga diskutimi:
Është shkollë më vete në menaxhimin e tenderave dhe sidomos i parave publike. Sheh tendera me përmbajtje të çuditshme.
Zoti Agolli ka një CV që nuk është thelluar shumë në hetimin e veprimtarisë së tij.
Ai akuzohet edhe për dhënien e tenderave për oligarkun rus, Oleg Deripaska. Oligarku rus rezulton të ketë marrë tendera po nga kjo agjenci.
Lidhur me tipologjinë e këtyre zyrtarëve kemi dhe zotin Benet Beci, ish kreu i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili është gjithashtu nën hetim.
Kemi dhe një drejtori tjetër atë të rrugëve të ARRSH. SPAK kam përshtypjen i duhet të hetojë dhe në aspektin psiko-emocional, të krijojë identikitin se ç’është ky zyrtar nën hetim që vjedh.
Një individ shkel ligjin për përfitime të paligjshme, për t’i vënë në funksion të jetës së tij.
Skanimi i pasurisë të çon në mënyrë direkte te shpërdorimi i detyrës. ILDKPKI është një institucion që nuk ka funksionuar dhe duhet të shkrihet.
Gjyqtarë dhe prokurorë që janë subjekt i vetingut, dolën nga vetingu pikërisht prej mos justifikimit të pasurisë.
Në të gjitha proceset penale që ka nisur SPAK, zyrtarët nën hetim akuzohen kryesisht për korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie. Thembra e Akilit është korrupsioni.
Duke qenë se këto modele të tilla e kanë shoqëruar këtë vend për 30 vite, këtu merr rëndësi pesha që kanë institucionet e reja të drejtësisë që do të duhet të funksionojnë.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit është minierë ari për fondet që ka.
Tre janë mënyrat kur prokuroria nis hetimet, hetimet nisin kryesisht kur faktet bëhen publike nga individë apo media, në kushtet e flagrancës që referohet nga policia dhe kur referohet nga individë apo institucione në kushtet e një kallëzimi formal.
Në SPAK ka 20 prokurorë, ka çështje pafund dhe prokurorët duhet të përfaqësojnë edhe çështjet në gjykim dhe mbi të gjitha është dhe dosja “Metamorfoza” që i është mbivendosur procesit dhe SPAK e ka të pamundur që të nisë hetimet kryesisht.
Në këto kushte mediat dhe individët duhet të rrisin përgjegjësinë qytetare dhe t’i referojnë këto kallëzime në prokurori.