Analizë e Buxhetit 2025. Nga Sidi Hasanaj

“Projektbuxheti 2025 paraqet një pasqyrë të sfidave të mëdha fiskale dhe strukturore të Shqipërisë. Me një sistem fiskal të dobët, një ekonomi të mbështetur në sektorë jo të qëndrueshëm dhe një administratë të fryrë, vendi ka nevojë për reforma rrënjësore në transparencë, efikasitet dhe investime strategjike. Qeveria duhet të kalojë nga politikat afatshkurtra në strategji afatgjata që fuqizojnë konkurrencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, duke e pozicionuar Shqipërinë më afër standardeve evropiane.” – kështu shkruan në analizën e tij Sidi Hasanaj.

 

Analizë e Projekt-buxhetit 2025: Një Perspektivë e Zgjeruar

1. Të Ardhurat Buxhetore në raport me PBB
Të Ardhurat Buxhetore në raport me PBB janë një nga të dhënat fiskale më domethënëse përsa i përket statistikave të një buxheti shteti. Interpretimi i tyre në raport % me PBB , ka dy aspekte, pozitive dhe atë negative.

Shqipëria në projekt-buxhetin e 2025 parashikon 754.6 miliard lekë ose 28.8% të PBB-së.

Kjo situatë reflekton disa sfida kryesore:

▪︎ Kapacitet i ulët fiskal dhe informalitet i lartë: Shkalla e lartë e informalitetit dhe barra tatimore e perceptuar si e padrejtë e kanë dobësuar më tej aftësinë e shtetit për të mbledhur të ardhura.

▪︎ Politika fiskale të paefektshme: Fokusimi në masa afatshkurtra, pa reforma strukturore për të zgjidhur problemet themelore të ekonomisë.

▪︎ Shqipëria ka një ekonomi e cila masivisht lëngon nga mungesa e fitimeve dhe detyrohet të hyjë në rrugën e shmangies së detyrimeve tatimore. Pasojë direkte e këtij informaliteti është fondi i ulët që qeveria ka në dizpozicion për të investuar në vepra infrastrukturore të ndryshme.

Zgjidhja e duhur është ristrukturimi i sistemit të taksave: Ulja e barrës tatimore për bizneset e vogla dhe të mesme, duke rritur progresivitetin për korporatat më të mëdha.

 

2. Shpenzimet buxhetore dhe deficiti

Shpenzimet buxhetore janë planifikuar të arrijnë në 822.7 miliardë lekë ose 29.4% të PBB-së, me një deficit prej 68 miliard lekësh. Në krahasim me vendet e BE-së, ku shpenzimet arrijnë mesatarisht 50.8% të PBB-së, ky nivel është dukshëm më i ulët, duke reflektuar mungesën e investimeve thelbësore në sektorë si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura.

Pavarësisht kësaj, administrata publike e Shqipërisë ka një numër të lartë punonjësish për 1,000 banorë (31.2), krahasuar me mesataren e BE-së prej 10-15. Ky është një tregues i fryrjes së administratës dhe përdorimit joefikas të burimeve publike.

Si përfundim të Ardhurat dhe Shpenzimet Buxhetore në raport me PBB të Shqipërise (në %) janë shumë herë më të ulëta se vendet e rajonit si Kroacia, Sllovenia, apo dhe mesatarja e BE. Tregues i qartë fiskal që pasqyron strukturën e anemike të ekonomisë tonë të varfër, e cila na privon nga investimet e mëdha transformuese në vepra rrugore, energjitikë, shëndetësi,arsim dhe mirëqënie të shtresave të varfëra.

 

3. Investimet Publike në raport me PBB

Shqipëria planifikon 161.8 miliard lekë ose 6.2% të PBB ndërkohë që mesatarja e investimeve publike në BE është rreth 3%-3.5% e PBB-së.

Si mundet që një vend me të ardhura dhe shpenzime buxhetore në raport me PBB shume më të ulët sesa ajo e vendeve të tjera rajonale dhe europiane, paradoksalisht zërin buxhet të investimeve publike në raport me PBB ta ketë rreth dy herë më të lartë se vendet europiane, pra se vendet me performancë fiskale shumë më të lartë?

Këtu përsëri panorama është tepër e qartë:

Abuziviteti me fryrjen e kostove të tenderave dhe koncesioneve, si dhe administrata tejet e fryrë!

 

4. Projektet kryesore të infrastrukturës (Shqipëri 2025)

Kostoja për ndërtimin e rrugëve në Bashkimin Evropian varion në bazë të vendit dhe projektit specifik, por zakonisht shkon midis 2 dhe 10 milionë euro/km për rrugët rajonale dhe ato kombëtare.

Për autostrada, kostoja mund të arrijë deri në 20 milionë euro/km, duke përfshirë projekte që përfshijnë tunele ose ura, të cilat janë dukshëm më të kushtueshme .

Në Shqipëri, kostoja për ndërtimin e një kilometri rrugë është ndër më të lartat në Evropë. Për shembull, kostoja e ndërtimit të segmentit Thumanë-Kashar (20 km) arrin në 12.2 milionë euro/km, duke e renditur Shqipërinë të dytën pas Austrisë (12.8 milionë euro/km) sa i përket kostove të larta të ndërtimit të rrugëve.

Projekte të tjera rrugore në Shqipëri, si rrugët lidhëse të Aeroportit të Vlorës dhe segmente të tjera, kanë shpenzime të ndryshme. Në disa raste, për 42 km rrugë me dy korsi janë raportuar shpenzime prej rreth 133 milionë euro.

Krahasuar me vendet e tjera evropiane, Shqipëria është në vendet me kosto më të lartë për rrugë, ndërsa vende me reliev të ngjashëm me ne, si Kroacia dhe Danimarka kanë kosto shumë më të ulëta, respektivisht me 6.6 milionë dhe 5.8 milionë euro/km.

Gjithashtu dallimet në teknologjinë e ndërtimit të rrugëve midis BE-së dhe Shqipërisë jane shumë herë më superiore, pasi në Shqipëri proceset ndërtimore mbështeten më shumë te praktikat tradicionale dhe manuale, analizat paraprake për kapacitetin e rrugëve janë të kufizuara. Këtu bazohem dhe në raportet të raportet nga Arcadis dhe Eno Transportation, të cilat ofrojnë krahasime ndërkombëtare të kostove.

 

5. Arsimi

▪︎ Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës për katër objekte arsimore në zonën Tirana 4 janë alokuar plot 1,738,456,242 lekë. Dmth 434,614,060 lekë për shkollë ose 4.3 milion euro për shkollë. Ku siperfaqja mesatare e një shkolle 2500 m².

Pra, 178,400 lekë për m² !!!

▪︎ Për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës për pesë objektet arsimore në zonën Tirana 1 prej totali 1600861766 lek. Dmth, 321,000,000 lekë për shkollë, me mesatare ndërtimi 2500 m².

Pra, 128,068 lekë për m² !!!

Kostoja e ndërtimit në Tiranë nuk kalon 450 euro/m², ti shtojmë dhe pajisjet mund të arrijë në 600 euro/m², ndërkohë në Buxhetin e 2025 kostoja e ndërtimit është 3-fish më e lartë, rreth 1800 euro m².

 

6. Administrata Publike dhe Efikasiteti

Për vitin 2025 programohen në masën 822.7 miliardë lekë ose rreth 31.4% e PBB-së duke rezultuar rreth 51.4 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2024.

Por çfarë po ndodh me këto shpenzime? Përse po rriten?

Përgjigjia e shkurtër është fryrja e tejmadhe e punonjësve të administratës qëndrore!

Le të bëjmë një krahasim mbi disa shifrat zyrtare të pasqyruara më sipër.

Shqipëria ka numër të punonjësve të administratës publike qëndrore 85,974 persona sipas të dhënave më të fundit për vitin 2024 . Popullsia aktuale e Shqipërisë është afërsisht 2.76 milionë banorë. Pra ka raportin e 31.2 punonjësve/1.000 banorë. Një numër shumë të lartë të punonjësve të administratës qëndrore për 1.000 banorë (31.2), që tejkalon ndjeshëm shumicën e vendeve të BE në këtë krahasim.

Ndërkohë që ky është buxheti rekord që qeveria ka mbledhur nga taksat e shqipëtarëve, panorama e familjeve dhe mirëqënies shqipëtare është diametralisht e kundërt. Ajo paraqitet e zymtë, me familje në luftë për mbijetesë, me vuajtjet e përditshme si borxhet.

Sipas një anketimi të Bankës së Shqipërisë, aktualisht 24% e familjeve kanë borxh për të shlyer. E kanë atë në formën e mallit të papaguar, pra ka blerë produktin por nuk ka paguar faturën, ku më specifikisht:

• 41% e të pyeturve thonë se e kanë në formën e kredisë, overdraft ose karta krediti

• 38% e kanë marrë borxhin cash tek të afërmit e tyre

• 20% kanë mallra të papaguara.

Në vrojtim thuhet se pesha e familjeve që kanë borxhe nëpër dyqane është rritur me 2% krahasuar me fundin e vitit 2023. Qëllimi kryesor i huamarrjes mbetet:

• për konsum në 35% të rasteve të huamarrjes

• për blerjen/riparimin e një prone në 19% të rasteve

• për ‘zhvillim biznesi’ në 18% të rasteve, thuhet në vrojtimin e Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë të vitit aktual.

Nga ana tjetër 23% e borxhit merret nga familjet shqiptare kryesisht për procedura mjekësore, duke u rritur ndjeshëm krahasuar me vjet kur kjo shifër ishte 7%.

Duhet theksuar se në Shqipëri ka aktualisht me ndihmë ekonomike rreth 62 mijë familje, për të cilat më shume se të ketë një rritje, do ketë një indeksim inflacioni këtë vit.

Pra, nga njëra anë “Dora e Shtetit” është çdo vit dhe më e fortë në xhepat e taksa paguesve shqipëtarë, por nga ana tjetër këto të ardhura nuk përkthehen në mirëqënie për qytetarët e vendit tonë.

Përse vallë? A duhet shteti të ketë rolin e “Robin Hudit” siç propozon Berisha me ekspertët e tij, ku nga njëra anë tjua marrë atyre që kanë dhe tjua shpërndajë në formën e asistencës sociale, ndihmës ekonomike apo rritjes së pensioneve përtej shumës që mblidhen nga kontributet shoqërore, të moshuarve?

A është zgjidhja e varfërisë në Shqipëri, qeveria e politikave sociale që propozon grupi parlamentar dhe ekspertët e partisë së Berishës?

Apo është politika jo sociale, por socialiste “par excellence” e Edi Ramës, ku paradigma e qeverisë është:

“Shteti të mbledhë sa më shumë taksa nga individët dhe bizneset që punojnë, që janë shpirti i kapitalizmit, motorri vital i Shqipërisë, dhe këto taksa ti shpërndajë në njerëzit e saj të preferuar? Në oligarkët dhe administratën e saj, pjesë e makinerisë së partisë-shtet PS? Kush është politika socialiste e Edi Ramës?

Qeveria ka parashikuar të shtojë në sektorin e shëndetësisë:

• 0.88 miliardë lekë për kontrollin e chekup- it,

• 1.9 miliardë lekë për koncesionin e sterilizimit

• 1.9 miliardë lekë për shërbimet spitalore.

Ndërkohë që mbetet fakt se qytetarët në rreth, 60% të shpenzimeve i paguajnë nga xhepi dhe po sipas raportit të bankës kombëtare 23% e borxhit të qytetarëve tanë është për shërbime mjekësore.

Pyetja që lind është se a kanë eficensë dhe vizibilitet ekonomik politikat 11 vjeçare të PS në sektorin e Shëndetësisë?

Nga shifrat (faktet) më sipër, konkludohet që Jo, aspak!

Përveçse afera korruptive, politikat në sipër kanë rritur borxhet e qytetarëve për procedura mjekësore, borxh që tregon që politikat e qeverisë nuk kanë qenë adekuate as në parandalimin e sëmundjeve, as në rritjen substanciale të shërbimeve dhe as në skemat e financimit të shërbimeve mjekësore për qytetarët.

Ndërkohë të largohemi pak nga sektori i shëndetësisë:

Ekonomia e vendit parashikohet të zgjerohet me rreth 3.9 përqind vitin e ardhshëm, e mbështetur nga ecuria mjaft e mirë e sektorit të turizmit dhe aktivitetit të ndërtimit. Por si qëndron panorama më e gjerë e ekonomisë?

• Industria fasone në Shqipëri ka humbur 230 milionë euro deri në fund të shtatorit 2024 për shkak të zhvlerësimit të euros ndaj lekut.

• Eksportet kanë rënë me 170 milionë euro, ndërsa importet me 60 milionë euro krahasuar me 2023.

Pra ne si vend po bazohemi çdo ditë e më pak në industrinë prodhuese e cila eksporton jashtë.

Por qeveria socialiste e Edi Ramës, prioritetet të saj ka klientët e paktë të tenderave, PPP-ve dhe koncesioneve. Subjekte që nuk janë aktorë të tregut të lirë, të magjisë së kapitalizmit… por subjekte që fitojnë miliarda nga taksat e Shaipëtarëve.

Pagesat për kontratat e koncesioneve të planifikuara për 2025 që përfundojnë në xhepin e tyre janë si më poshtë:

• Rruga e Arbrit: 3 miliardë e 360 milionë lekë

• Autostrada Milot-Morinë: 720 mln lekë

• Porti i Jahteve Orikum-Dukat: 956 mln lekë

• Skanimi në dogana: 1 miliardë e 573 milionë lekë

• CHECK UP: 876 milionë lekë

• Për koncesionin e sterilizimit: 1.9 miliardë lekë.

• Për koncensionin e dializës: 960 milionë lekë

• Për shërbimet laboratorike: 1.9 miliardë lekë

• Për inceneratorin e Tiranës: 1 miliardë e 270 milionë lekë

PAGESAT PËR KONCESIONET

Viti 2024: 14,023,580 mijë lekë

Viti 2025: 14,231,130 mijë lekë

Rritja +207,550 mijë lekë

 

Konkluzione

Projektbuxheti 2025 paraqet një pasqyrë të sfidave të mëdha fiskale dhe strukturore të Shqipërisë. Me një sistem fiskal të dobët, një ekonomi të mbështetur në sektorë jo të qëndrueshëm dhe një administratë të fryrë, vendi ka nevojë për reforma rrënjësore në transparencë, efikasitet dhe investime strategjike.

Qeveria duhet të kalojë nga politikat afatshkurtra në strategji afatgjata që fuqizojnë konkurrencën dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, duke e pozicionuar Shqipërinë më afër standardeve evropiane.

Shpërndaje