Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me Lord Richard Keen, anëtar i Partisë Konservatore britanike dhe Ministër i Drejtësisë në hije, ku diskutuan për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, ndikimin e krimit të organizuar në proceset zgjedhore dhe përparësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Basha theksoi se pavarësisht përpjekjeve të SPAK dhe GJKKO për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin, progresi nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse nuk mbështetet nga një qeveri e përkushtuar për të luftuar paligjshmërinë dhe për të siguruar qeverisje të mirë.
Gjithashtu, ai kërkoi përdorimin e aseteve të ngrira të Rusisë për rindërtimin e Ukrainës, si pjesë e një raporti të miratuar nga Këshilli i Evropës.
Postimi i plotë:
🇦🇱🤝🇬🇧 Lufta kundër korrupsionit, ndarja e politikës nga krimi dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ishin në qendër të diskutimit që zhvillova me Lord Richard Keen, anëtar i Partisë Konservatore, pjesë e Dhomës së Lordëve, si edhe Ministër Drejtësie në hije në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.
Në Shqipëri, korrupsioni mbetet një sfidë madhore, edhe pse SPAK ka bërë përparime të rëndësishme në luftën kundër tij. Korrupsioni i përhapur gjerësisht, ka ndikuar negativisht në jetesën e shqiptarëve, gjysma e të cilëve jetojnë në varfëri, dhe numri i atyre që emigrojnë është më i larti në Ballkan.
Hetimet e SPAK-ut ndaj zyrtarëve dhe deputetëve të Edi Ramës, kanë faktuar ndërhyrjet e krimit të organizuar në proceset zgjedhore, duke deformuar vullnetin e shqiptarëve dhe si këmbim qeverisja është vënë në shërbim të organizatave kriminale.
Pavarësisht përpjekjeve të SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme, për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin, progresi nuk do të jetë i mjaftueshëm nëse nuk do të mbështetet nga një qeveri e përkushtuar, për të luftuar paligjshmërinë dhe për të siguruar qeverisje të mirë.
Në këtë takim me Lord Keen, diskutuam gjithashtu, për rolin e tij si Kryetar i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës. Ritheksova rëndësinë që BE-ja dhe NATO, duhet t’i japin njohjes së Kosovës për stabilitetin e rajonit dhe përshpejtimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës, si interesi më i mirë i shqiptarëve dhe serbëve që bashkëjetojnë në Kosovë.
Folëm gjithashtu për Ukrainën, ku theksova nevojën për të përdorur asetet e ngrira të Rusisë për të financuar rindërtimin e vendit. Rusia mban përgjegjësi për shkatërrimet e shkaktuara dhe duhet të kompensojë dëmet në përputhje me ligjin ndërkombëtar, si pjesë e raportit tim të miratuar nga Këshilli i Evropës, që synon gjithashtu parandalimin e agresioneve të ardhshme.