Kreu i PD – Euroatlantike prej disa ditësh ndodhet në Gjermani duke zhvilluar takime të ndryshme me përfaqësues të Qeverisë së RFGJ dhe me deputetë të Bundestagut gjerman. Sot ai është takuar me deputetin e Bundestagut z.Gunther Krichbaum i cili është edhe zëdhënës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështjet evropiane të Parlamentit Federal Gjerman. Me të u diskutua çështja e integrimit europian të Shqipërisë, rëndësia e forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, si dhe sfidat me të cilat përballet vendi ynë.
Më herët z.Basha është takuar me deputetin e Bundestagut, ish-kreun e Forumit Rinor dhe ish-sekretarin e përgjithshëm të CDU-së, z.Paul Ziemiak me të cilin diskutuan rreth situatës aktuale në vend dhe veçanërisht mbi domosdoshmërinë për t’u ofruar të rinjve mundësi dhe shpresë, në mënyrë që ata të kontribuojnë për vendin e tyre dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Gjithashtu, gjatë vizitës në Bundestag z.Basha është takuar edhe me deputetin e CDU-së, Knut Abraham ku diskutuan mbi sfidat me të cilat përballet Shqipëria sot, duke filluar nga lufta kundër korrupsionit, sundimi i ligjit, respektimi i shtetit ligjor, etj.
Kujtojmë se Knut Abraham, deputet i Bundestagut, anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, është një zë i fuqishëm në mbështetje të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.