Me standardet e Shqipërisë do të ishte normale të emërohej imam turk pasi Shqipëria ka pasur priftërinj të huaj në kishat katolike e ortodokse si dhe pastorë të huaj në kishat evangjeliste. Nuk do të ishte çudi as thyerje e rregullit nëse do të emërohej ndonjë imam turk apo egjyptian, përderisa janë emëruar priftërinj grekë, maltezë apo anglezë.
Megjithatë sdo të ketë imam turk. Imam i xhamisë do të jetë Gazmend Teqja.
Dua ta shfrytëzoj ketë rast për të theksuar se muslimanizmi shqiptar smund të identifikohet me shtet tjetër. Mund të ketë dhe duhet të ketë mardhënie me të gjitha xhamitë në botë si pjesë e “umetit musliman” por tashmë muslimanizmi është shqiptar, është i yni, nuk është “mall i huaj” prandaj smund të trajtohet si mall importi i cili vjen prej diku tjetër, buron prej diku tjetër e rrjedh tek ne.
Islami buron prej Kuranit, direkt për shqiptarët, pa nevojën e ndërmjetësimit prej ndonjë qeverie të një shteti të huaj, qoftë qeveri turke, qoftë arabe, apo çfraëdoqoftë. Nuk është se islami është i atyre, turqve e arabëve dhe, ne jemi jabanxhi në islam, kemi më pak të drejta mbi të e në të. Në asnjë mënyrë, na takon barabart.
Në vijim të kësaj logjike, ne si shqiptarë duhet të ruajmë autonominë tonë në çdo drejtim, përfshi edhe drejtimin fetar.
Edhe ne si shumë popuj të tjetër përjetuam një “Dark Age” dhe nisëm të shfaqeshim me entitetet tona shtetërore vetëm pas vitit 1000. Nën pushtimet bullgare, veneciane, anzhuine, serbe, paraardhësit tanë luftuan për autonominë e sundimit të tyre, rrjedhimisht edhe për autonominë e popullsisë.
Zotnijt arbër në fund të 1200 fillim 1300, luftuan për autonominë. Ata u burgosën në Napoli, i arrestoi pushteti tiranik anzhuin. Andrea II Muzaka në vitet 1300 e luftoi Car Dushanin. Fitoi por edhe humbi. Pas vdekjes së Dushanit ai u ngrit për të rifituar autonominë dhe mposhti krajlin Urosh të Serbisë, si edhe princin Marko. Muzaka e shtriu shtetin autonom nga Durrësi në Kostur, mori Dibër, Ohër dhe shumë toka të tjera të cilat ua kaloi krushqve, familjes Gropa. Në kishën e Shën Athanasit në Kostur, qëndron i bukur afresku i Andrea Muzaka II.
Skënderbeu famoz, ndër burrat më brilantë të fisit tonë arbër e më pas shqiptar, qëndroi e luftoi për autonomi. Pas tij edhe pashallarët e bejlerët shqiptarë si Mahmud pasha i Bushatit, Ali Tepelena, bejlerët e epokës së Tanzimatit e Lidhjes së Prizrenit, luftuan për autonomi. Ata të gjithë së bashku vunë gur në vetëdijen se jemi dikush dhe luftojmë për diçka.
Shpallja e Pavarësisë në 1912 është akt epokal. Ishte arritje e një statusi shumë më të lartë për ne. Ajo, pavarësia, na jep ne status shtetëror dhe mundësinë për ta forcuar autonominë dhe identitetin tonë. Ne e fituam pavarësinë kombëtare as herët as vonë, pasi ka shtete të cilat u njohën pas 1920, të tjera pas 1945, të tjera pas 1990. Kësisoji, kjo duhet avancuar e duhet mbrojtur, nuk duhet prapsuar. Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha dhanë pjesët e tyre të kontributit në ketë drejtim, sado me problemet përkatëse.
Sot, ne, më shumë sesa të analizojmë dhe të gjykojmë paraardhësit tanë, duhet të forcojmë identitetin kombëtar e shtetëror brenda vetes tonë, pastaj të kontribuojmë për të forcuar dhe vetëdijen tek të tjerët. Vetëdijen se jemi shtet më vete dhe ne, vetë, nevojitet ta respektojmë të parët mëmvetësinë e fituar me luftë e me fat.
Ne mund të njohim zona influence të fuqive siç është ShBA psh por, ne smund të jemi shtojcë e vasalë të rëndomt të askujt, as të ShBA, as të fqinjve greko-serbë, as të turqve, as të italianëve. Dua të them, veprojmë pa dyshim brenda sferave si në rastin e ShBA sepse jemi “hallexhinj” kemi nevojë, mirëpo gjithmonë duke mbajtur parasysh se duhet të ruajmë edhe veten tonë.