Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka njoftuar zyrtarisht arrestimin e ish-deputetit të PS, Jurgis Çyrbja si edhe ka zbuluar lidhet e tij me personazhe të botës së krimit, të cilët kanë ndikuar që ai të fitonte në zgjedhjet parlamentare të 2021.
Në njoftimin zyrtar SPAK thotë se ndaj Jurgis Çyrbjes rëndojnë 7 vepra penale, të cilat i ka kryer gjatë kohës që ka qenë deputet në Parlament.
Sipas SPAK nga hetimet ka rezultuar se personi nën hetim Jurgis Çyrbja në kohën e kryerjes së veprave penale ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i cili ka patur një marrëdhënie miqësore me personin tjetër nën hetim Altin Hajri, një personazh i botës së krimit, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave shumë të rënda penale që lidhen me rrëmbimin, zhdukjen dhe vrasjen e Jan Prengës.
Për shkak të funksionit të tij si deputet, Jurgis Çyrbja i ka ofruar favorizime të ndryshme Hajrit duke ndërhyrë në agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, me qëllim favorizimin e tij apo të lidhjeve të ngushta familjare e shoqërore, duke konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.
Në këmbim të këtyre favoreve të siguruara, Altin Hajri i ofronte Çyrbes që të votonte si dhe të siguronte votues në funksion të mbështetjes së tij si kandidat për deputet në Qarkun e Durrësit, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.