Integrimi në BE, vetëm në kokën e Ramës!

Nga Besart Logu

Europianët tallen me Ramën, duke e përgëzuar për avancimin në procesin e integrimit, e pastaj, vjen Rama në Shqipëri e tallet me ne duke reklamuar këtë sukses qeveritar!

Ndërkohë e vërteta është krejt ndryshe. PS për 3 mandate po shënon hapin e parë drejt antarësimit në BE. Ndërsa PD, në vetëm dy mandate qeverisëse, shënoi këto arritje:

▪︎ Më 12 qershor 2006 u përmbyll procesi i negociatave rreth Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

▪︎ Më 9 nëntor 2006 Komisioni Evropian vendosi të fillojë negociatat për lehtësimin e vizave me Shqipërinë.

▪︎ Më13 Prill 2007 nënshkruhet marrëveshja për lehtësimin e vizave.

▪︎ Më 1 prill 2009 MSA-ja hyri në fuqi.

▪︎ Në nëntor të vitit 2009 Shqipëria paraqiti kërkesën e saj zyrtare për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

▪︎ Më 8 nëntor 2010, Këshilli miratoi propozimin e Komisionit dhe regjimi pa viza hyri në fuqi më 15 dhjetor 2010.

▪︎ Në tetor të vitit 2012, Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi i kandidatit të BE.

▪︎ Më 27 qershor të vitit 2014, Këshilli Evropian i dha Shqipërisë zyrtarisht statusin e vendit kandidatit.

Procesi i integrimit i Shqipërisë në Bashkimin Europian është konsideruar si prioriteti më strategjik kombëtar, i cili udhëheq axhendën qeverisëse të vendit. Por, për 12 vite, Rama ka treguar se axhenda e vetme e Partisë Socialiste ka qenë “krim, varfëri dhe emigracion”. Antarësimi në BE shmang pikërisht këto pasoja, pasi bën që qytetarët e vendit aplikant, në sajë të reformave, të ndihen ekonomikisht e politikisht të barabartë me qytetarët unionit.

Prandaj, shfaqja e sotme e kryeministrit, sikur po shënon një moment historik, është tallja më e madhe që mund t’i bëjë shqiptarëve. Ky moment mund të jetë historik për qeverinë e tij por për Shqipërinë jo. Zero avancim në procesin e integrimit do të thotë zero reforma nga qeveria. Kjo është e vërteta që po mundohet të mbulojë propaganda qeveritare. Se, krimi, varfëria dhe emigracioni janë fakte, të cilat nuk kanë nevojë të provohen.

Do thoni ju, po europianët? Ata të përgjigjen ashtu siç do ti, bëjnë hapin e rradhës kur të jesh gati. Dhe ky hap që po bëhet është ritmi që humbi Shqipëria në 2013 pas rrotacionit politik.

Shpërndaje