Fushata me qendër pensionistët, censusi më real për Shqipërinë, e sidomos për qeverinë. Nga Besart Logu

Edhe sot Edi Rama i kishte kushtuar një hapësirë të posacme pensionistëve. Dukshëm një vëmendje e shtuar nga 12 vitet e kaluara në pushtet. Madje, dje në Fier shpalli dy objektivat kryesore të qeverisë për mandatin e katërt: 1. Hyrja në Bashkimin Europian, 2. Lehtësimi i jetesës së pensionistëve. Ta sjellësh çështjen, problematikat, e pensionistëve, në nivelin e antarësimit në BE, që është projekt strategjik për qeverinë (në fakt e tillë ka qenë për çdo qeveri tjetër), minimalisht tregon papërgjegjshmëri në drejtimin e shtetit dhe maksimalisht një tallje në nivel kryeministror që i bëhet kësaj kategorie të lënë në harresë për tre mandate dhe që me politikat e saj ka hedhur në erë skemën e pensioneve.

Të dhënat e censusit 2023 tregojnë se mosha mesatare e popullsisë është rritur ndjeshëm. Në vitin 1990 mosha mesatare ishte 27 vjeç, në 2012 ishte 33 vjeç ndërsa sot, në 2024, është 42 vjeç. Një e dhënë tjetër që na vjen nga censusi është se njësitë familjare janë zvogëluar. Struktura familjare ka ndryshuar duke ulur madhësinë e familjes. Në regjistrimin e vitit 2011, madhësia mesatare e njësive familjare ishte 3.9 anëtarë, ndërsa regjistrimi i fundit tregon se tani njësitë familjare kanë mesatarisht 3.2 anëtarë. Pra, janë shtuar familjet me vetëm një fëmijë. Fakt determinant në rritjen e moshës mesatare dhe në tkurrjen e strukturës familjare padiskutim që është lindshmëria. Referuar censusit të vitit 2023 rezulton se gjatë periudhës 2011-2023 numri i lindjeve është ulur ndjeshëm: nga rreth 34 mijë në 2011, në rreth 24 mijë në 2023, ndërsa numri i vdekjeve në vit ka mbetur midis 20 mijë dhe 22 mijë. Një e dhënë tjetër e rëndësishme në funksion të kësaj analize është edhe emigrimi. Sipas INSTAT, Shqipërinë e lënë mesatarisht 42 mijë persona në vit. Si arsye kryesore të emigrimit theksohen mundësitë më të mira për punë, arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

Jo pa qëllim sollëm këto të dhëna pasi janë faktorë që ndikojnë direkt në skemën e pensioneve. Plakja e popullsisë vjen si pasojë e uljes së numrit të lindjeve. Shtuar këtu dhe rritjen e emigracionit, kryesisht krahut të punës, krijon një strukturë shoqërore e cila e kthen skemën e kontributeve shoqërore në minë me sahat që kur të shpërthejë do e fusë shtetin në kolaps.

Rama pretendon se këtë lëmsh, të bërë nga vetë ai, do e zgjidhë me një të rënë të lapsit. Ka shënjestruar biznesin, konkretisht informalitetin në masën e deklarimit të pagave. Numri i të punësuarve me rrogë në Shqipëri, në fillim të vitit 2024, arriti në 730 mijë vetë, nga të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave, të cilat i referohen deklaratave të bizneseve dhe enteve të tjera në tatime. Nga të punësuarit, 549 mijë i përkasin sektorit privat ndërsa 181 mijë i përkasin sektorit publik, ku përfshihen administrata publike, pushteti vendor dhe ndërmarrjet nën pronësi publike, të tilla si ujësjellësat, klubet sportive apo ndërmarrjet e sektorit të energjisë elektrike. Siç duket, xhepi më i ngrohtë për qeverinë është ai i rrogtarëve në sektorin privat. Një valë e re represioni ndaj biznesit duket në sfond. Sikur të mos mjaftonin politikat fiskale, që kanë krijuar klimë aspak të favorshme ndaj biznesit, trysnia e kontrollit tatimor dhe stimulimi i shpenzimeve në lidhje me masën e pagesës së kontributeve, do e përkeqësojë edhe më tej situatën financiare të sektorit privat.

Deri më tani dimë se; ndjekja e politikave fiskale si taksa progresive deri me 23%, që ka shkatërruar sistemin e tatimit mbi të ardhurat personale, si dhe vendosja e taksave abuzive në kundërshtim me çdo logjikë fiskale, kanë ndikuar negativisht. Për rrjedhojë, shtresa e mesme taksohet më shumë se sa pjesa tjetër e popullsisë dhe kjo prodhon pamundësinë per t’u ngjitur në një shkallë më lart në nivelin e mirëqenies. Nëse i shtojmë kësaj edhe situatën e rëndë me borxhin publik, kontratat korruptive të PPP-ve, mbi të gjitha dëmin ekonomik të konstatuar nga KLSH çdo vit, që për vitin 2023 kap shifrën e 72.3 miliardë lekësh, janë një barrë shumë e rëndë për buxhetin. Thënë ndryshe, buxheti nuk ka më para për t’ia hedhur ekonomisë prandaj qytetarët, e sidomos biznesi, shihen si një lopë për t’u mjelë nga qeveria.

Kështu që, cikli i takimeve me pensionistët është shfaqja më e turpshme e kësaj qeverie. Kjo shtresë e diskriminuar, e harruar, e së fundmi e tallur, meriton vëmendje dhe seriozitet. Fillimisht duhet pranuar fenomeni, gjë të cilën kryeministri nuk e pranon pasi sipas tij asgjë çfarë parashtruam më lart, që janë të dhëna zyrtare nga INSTAT, nuk janë të vërteta. Më pas, duhen ndërmarrë politika afatgjata për të frenuar largimin e krahut të punës, grupmosha më vitale e shoqërisë e cila bën rolin e motorit që çon para ekonominë. Gjithashtu, shtimi i numrit të popullsisë duhet të jetë prioritet i qeverisë. Nuk mjaftojnë vetëm stimujt material. Numri i lindjeve ka rënë kryesisht nga pasiguria që kanë çiftet e reja në mundësimin e kushteve minimale për krijimin e familjes dhe mirërritjen e fëmijëve. Pra, togfjalëshi “familja është bërthama e shoqërisë” nuk është një klishe por origjina e krijimit si dhe e zgjidhjes së problemeve me karakter social e ekonomik. Nga ajo projektohet e ardhmja dhe si e tillë, të gjithë prozhektorët duhen kthyer nga familja. E jo vetëm kaq, qeveria duhet të krijojë klimën pozitive dhe të ngjallë shpresën për të ardhmen në mënyrë që të mos kthehemi në furnitorë të krahut të punës por si një vend që ofron garanci për tu investuar, e sidomos në tërheqjen e atyre që kanë ikur për të mos u kthyer më.

Kështu që, skanimi dhe gjykimi objektiv i 12 viteve të qeverisjes së Edi Ramës bën të arrish në konkluzionin se “Ai që e bëri, nuk e zhbën dot.”

Shpërndaje