Diçka për Kanunin – nga Indrit Vokshi

Gjuhësisht Kanuni vjen nga greqishtja antike “kanon” që dmth drejt.

Nuk është akt origjinar i cili u shpall në një moment para 2000 vjetësh e prej atëhërë nuk ndryshoi më, nuk u pasurua me ligje e norma të reja.

Përkundrazi, kohë pas kohe, Kanuni ka ndryshuar dhe është pasuruar. Përshembull bajraqet e bajraktarët, nisin krijohen në vitet 1700. Më parë nuk kanë ekzistuar.

Djelmnia, futet diku në Shalë në 1900-tat, kur del Mehmet Shpendi. Kjo djelmnia ishte si biçim “opozite”. Plus dhjetra e qindra norna e praktika që kanë ndryshuar për tiu përshtatur jetës.

Për kah emrin, “Lekë-Dukagjin”, Kanuni nuk është i krijuar prej princit feudal Lek Dukagjini, nuk është ai autori. Kanuni ka ekzistuar shumë shekuj para tij. Perandori romak Thedosi në letrat e Kodit të tij (Kodi është në vitet 430 pas Krishtit) këshillon prefektin e Ilirisë, Vir Nikoman Flavian (nga mbiemri, duket se prefekti ka qenë nga dinastia Flaviane, dinasti ilirike) dhe i kërkon atij të shfuqizojnë të drejtën e parablerjes, pra të shfuqizojë ketë zakonin që kur do të shesësh pronën, pyet kufitarin, ose fqinjin, mos do ta blejë ai, pasi ka përparsi fqinji. Ky zakon ka ekzistuar në Iliri, i dokumentuar nga perandori. Sot e ka ligji europian për shoqëritë tregtare për parablerjen e aksioneve mes aksionerëve.

As përmbledhje e kodifikim, Lek Dukagjini nuk ka bërë. Nuk ekziston diçka e tillë. Kodifikimi i parë u bë nga Gjeçovi në vitet 1930. Dhe ishte i pjesshëm. Atëherë pse quhet “Kanuni i Lek-Dukagjini”? Është emërtim gjeografik e antropologjik. Dukagjin është quajtur zona prej lumit Mat e nalt. Deri në Istog, kufi me Serbi atje larg, quhet “Dukagjin i Rrafshit”. Dukagjin i Vjetër quhet zona e Pukës, aty ku burojnë e shtegtojnë fiset si Kabashi, Thaçi, Berisha, Krasniqja, Gashi që janë rreth e rrotull. Ndërsa Lek, quhen zona e Malsisë së Madhe. At Gjergj Fishta iu ka kushtuar edhe poemën “Lekët”.

Pra Kanuni i Lek Dukagjinit quhet legjislacioni i Lekëve dhe i Dukagjinasve, legjislacioni i asaj që u quajt Gegni, krahinave prej lumit Mat e deri nalt. Nuk është kushtetutë Kanuni, është legjislacion, përfshin edhe norma me natyrë kushtetuese të cilat rregullojnë përfaqësimin por është i dendur me norma penale e civile.

Kanuni u damkos keq kur u paraqit si “martesa në djep”, “plumbi në pajë”, “ska gruaja të drejtë” dhe si akt i një personi, princi, sunduesi.

Martesën në djep e ka bërë mbreti i Anglisë, Henri, spo më kujohet numri, Henri i satë; ai u martua me premtim, në djep, pagoi ar e lopë si pajë për nusen, sipas ligjit civil. Në 1830-tat, lufta civile në Spanjë nisi sepse kanuni i frankëve salikë, ndalonte trashgiminë për vajzat dhe kurora mbretërore nuk i shkoi Don Karlosit. Karlistët nisën luftën. Edhe Franko në 1930-at ishte karlist, jo fashist, fashistët thjesht i mori në koalicion. Pra ai legjislacion i gegëve të Shqipërisë ishte i integruar në kohë edhe në areal të popujve kontinentit, diku-diku të njejtat norma.

Gjakmarrja ka lulëzuar prej mungesës së një pushteti të fortë qëndror. Kur u forcua pushteti qëndror dhe ndryshoi edhe struktura demografike, humbi gjakmarrja sepse ndëshkonte mbreti, diktatori, sot gjykata. Pra nuk kemi të bëjmë me “uri natyrore për gjak”.

Deri sot njerëzve nuk u është shpjeguar shkencërisht, duke kombinuar shkencën juridike, historinë, sociologjinë, antropologjinë, metodën perspektiviste, për tua shpjeguar si duhet. Dalin lloj-lloj komikësh e ua shpjegojnë me hamendje, me steriotipe, me vesh dhe, keqinformojnë.

Shpërndaje