Gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka, e cila caktoi masat e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe “arrest në burg” për dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, i ka kërkuar SPAK-ut të hetojë deklaratat e bëra nga Argita Berisha. Ajo e akuzoi gjyqtaren për korrupsion, duke thënë se Gjoka kishte marrë 500 mijë euro.
Deklaratat e Argita Berishës u bënë gjatë një konference për shtyp më 23 shtator 2024, ku ajo kërkoi transparencë mbi këtë çështje.
Gjatë kësaj konference Argita Berisha Malltezi deklaroi se të paktën 17 prokurorë dhe gjykatës të SPAK janë në dosjen e “Encrochat”. Gjithashtu, Malltezi u shpreh se gjyqtarja Gjoka del në një video, duke i kërkuar një ish-eksponenti të PS 500 mijë euro që të mos e fuste në grup të strukturuar kriminal.
Reagon Argita Malltezi:
Argita Berisha Malltezi, reagoi ndaj akuzave të gjyqtares së GJKKO-së, Irena Gjoka.
Ajo ka deklaruar se nuk është njoftuar ende për përmbajtjen e aktit, por thekson se ky akt provon tre aspekte thelbësore lidhur me sistemin e drejtësisë.
Së pari, ajo akuzon Gjokën se ka zgjedhur të fshihet pas kolegëve të saj, duke e parë këtë si një provë të keqpërdorimit të drejtësisë. Ajo kritikon praktikën e saj dhe të prokurorëve të GJKKO-së, duke theksuar se nuk ka asnjë dispozitë ligjore që u jep të drejtë të hetojnë një gjyqtar ose prokuror të drejtësisë së posaçme.
Së dyti, Argita Berisha ka ngritur akuzat se Gjoka po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për veprat penale, duke përmendur kallzimin e saj në Prokurorinë e Tiranës ndaj disa prokurorëve dhe gjyqtarëve për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Së treti, ajo shtron pyetje lidhur me të kaluarën e Gjokës, duke e pyetur nëse ajo është përzënë nga Greqia për vepra të dënueshme dhe nëse ekziston një video që e përfshin në negociata për një shumë prej 500 mijë eurosh.