“Shqiptarët, muslimanë që i pru Turqia”

Nga Indrit Vokshi

Lexoj shumë komente të serbëve në rrjet

Sa herë shkruhet për shqiptarët, ata thonë se shqiptarët janë muslimanë të cilët i pru Turqia nga Kaukazi. E has kudo ketë, pra ky version është produkt serb i prodhuar dhe i hedhur në “treg”.

Serbët thonë se shqiptarët ose duhet të jetojnë siç duam ne, dmth të konvertohen në fenë pravosllave, ose duhet të largohen e të ikin andej nga kanë ardhur – duke nënkuptuar “Botën muslimane” në Lindjen e Mesme e Kaukaz. Sepse sipas tyre, Ballkani, ka vend vetëm për pravosllavët dhe iu takon vetëm atyre. Nëse nuk konformohesh me ata nuk quhesh njeri i vërtetë me të drejta të plota. Rrjedhimisht meriton të vritesh dhe dëbohesh.

Çuditërisht ketë propagandë serbe e kam hasur ndër disa shqiptarë, ndër ata që e deklarojnë veten patriotë dhe, në emër të patriotizmit të vërtetë e të kulluar, ata kanë prodhuar mendimin se muslimanët janë “pjellë e turkut”, “spermë turku”, pra janë një hibrid seksual i turqve me vendasit. Përderisa ata, muslimanët e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, nuk konformohen me “patriotizmin e vërtetë” i cili në thelb është anti-musliman, ata quhen mish i huaj.

Analizat e haplogrupeve na dëshmojnë se prania genetike turke është veç 1%. Muslimanët shqiptarë genetikisht janë popullsi vendase e lashtë ballkanike. Pra shkenca, avancimi i saj, ka rrëzuar dhe shkatërruar një “përralle serbe” e cila ka shërbyer për spastrim etnik, përrallë e cila në version pak më të kamufluar, ka gjetur vend edhe në mendjet e disa shqiptarëve “patriotë të vërtetë”.

Nacionalizmi shqiptar është brilant. Ai proklamoi një komb shqiptar multi-fetar, duke iu njohur barazi të gjitha feve. Është shumë civilizues sepse në kohët kur u themelua, vetë Europa ishte fanatike në ketë drejtim, Ballkani të mos flasim, kishte nacionalizëm tribal të modelit të fiseve pyjore sllave.

Rilindasit shqiptarë u dëshmuan vizionarë, vërtet vizionarë. Ndoshta sepse patën një vetëdieje të rrënjosur, ndoshta edhe sepse kishin shëtitur në një perandori kozmopolitie, multi-etnike e multi-fetare dhe kishin vetëdije më të lartë njerëzore dhe kulturë më të spikatur sesa killerët me laps e me armë të fqinjve ballkanikë.

Shqipëria erdhi në jetë si shtet model. Me ndarje pushteti sipas feve e krahinave, me Këshill të Naltë me katër persona prej katër besimeve. Ishte vend me shumicë muslimanë i cili vu kryeministër prift ortodoks. Gjatë monarkisë eci me mbret musliman dhe kryeministrat ortodoksë dhe ministrat katolikë. Mori edhe mbretëreshën katolike. E gjitha kjo nuk ndodhi duke i trajtuar fetë e tjera si pakica por duke u trajtuar të gjithë si hisedarë të barabartë në komb.

Ketë civilizim, ketë vizion, ketë akt të madh, ketë dëshmi lartësie të rilindasve kombëtarë shqiptarë, disa sot, duan ta shkatërrojnë me propagandë, me njollosje të tjetri, me përralla të fabrikuara në Serbi. Me mohim të tjetrit, sikur tjetri nuk është i vërtetë, duke mos qenë i vërtetë ska të drejtë sa i vërteti, duke mos pasur të drejtë sa i vërteti, duke u shpallur mish i huaj, hidhen themelet për shkelje, përjashtim dhe shtyerje në cep të shoqërisë.

Kemi bërë hapa pas në civilizim.

Shpërndaje