“…Sa shumë gjëra që jeta kërkon nga ne, duke na lidhur me shumë fije, kur jemi një dhe të vetëm! Ndërsa rropatemi me të gjitha forcat tona në aq shumë lëmshorë të saj, sërish mbetemi një dhe te vetëm në fund. Kjo nuk tingëllon dhe aq e ndershme, por që gjithësesi mbetet tejet interesante. Ajo (jeta) gjithnjë duhet zgjedhur…”
“Mbi Fatin” nga cikli -Dialektika e Mendimit-
***
“…Sa e sa herë kam dëgjuar, lexuar, madje jo rrallë edhe kam pritur edhe vetë për atë që “koha do vijë”; Dhe në fakt ajo vetëm largohet, ajo vetëm ikën, ajo vetëm fluturon duke marrë gjithçka me vete n’heshtí! Njerëz, çaste, ndjesi, frymëmarrje. Është një mekanizëm i ngadaltë, i rëndë, i madh dhe i frikshëm që vetëm ecën për të mos mbërritur asnjëherë askund… kështu deri në fundin e kohrave…”
“Mbi Kohën” nga cikli -Dialektika e Mendimit-
***
“… Mendimi më shoqëron gjatë gjithë kohës, që nga dita që unë u bëra i ndërgjegjshëm për praninë e tij, nuk jemi ndarë asnjë çast nga njëri – tjetri. Ai është me mua kudo, kurdo, në çdo tavolinë, mjedis, pushim, punë, argëtim, endje, kredhje nëpër shtretër dashurish, etj. Është, ndoshta prona e vetme e vërtetë dhe më e madhe që kam. Pa të unë nuk jam më i plotë. Por, edhe ai pa mua ama, pasi do të kthehej në një term abstrakt! Jemi si vëllezër siamezë, që kur sëmuret njëri, tjetri tështin. Do të jemi bashkë deri në çastet e fundit të jetës. Atëherë do të vdesim të dy. Kemi ardhur në këtë botë si ndihmues dhe plotësues të shoqi-shoqit dhe këtë fat nuk mund ta ndryshojmë dot asnjëri prej nesh. Kështu që edhe ekzistenca e njërit pa tjetrin nuk ka kuptim! Do të ishim dy gjysma të pakuptimta që enden nëpër një eter absurd…”
“Mbi Mendimin” nga cikli -Dialektika e Mendimit-
***
“…Asnjë formë tjetër bukurie nuk shkëlqen dhe nuk ka më shumë dinjitet se një shpirt pastërtisht në harmoni me paqen dhe lirinë…”
“Mbi kohën dhe arsyen” nga cikli -Dialektika e Mendimit-
***
“..Edhe pse sot ngjan si prej fryme arkaike unë ende me forcë besoj që njeriu me patjetër duhet të stoliset me gjërat e çmueshme që ka në shpirt. Krenarisht duhet t’i varë ato si varëse a si byzylykë. Ka njerëz që me të vërtetë janë aq të pasur sa nuk u mjafton trupi për një ekspoze të tillë. Veçse, ama ka edhe nga ata që janë të mjerë fare, tmerrësisht të varfër, të leckosur, të mbaruar. Ata që nuk kanë asgjë tjetër të tregojnë veç arit a gurëve të çmuar… dhe ata këtë nuk e kuptojnë! Sa për të ardhur keq…”
Nga cikli: -Dialektika e mendimit-
***
” Ata që mundohen të ushqejnë tek njerëzit, besimin, shpresën ëndrrat e tepërta duan të krijojnë tek ata një boshllëk, konfuzion të përhershëm, një turbullirë që nuk lë optikë për realizëm rreth e rrotull, në mënyrë që më pas, këtë boshllëk të krijuar të mund ta përdorin apo mbushin me lloj – lloj të pa vërtetash, ndikimesh nënshtruese dhe të krijojnë formate njerëzish të depersonifikuar dhe pa të ardhme. Kjo është një lojë e keqe, e ligë dhe mjaft e rrezikshme që bëhet mbi kurrizin e të gjithë atyre që e “gëlltisin këtë karrem” të cilët për fat të keq janë të shumtë.
Jeta është aq e plotësuar dhe e mbushur maksimalisht me çdo gjë tjetër, sipërfaqja e saj është e shfrytëzuar në mënyrë aq të përsosur, sa që nuk mund të gjendet asnjë vend për besimin, shpresën, besimin e shpresttë apo shpresën e besimttë…”
“Mbi Shpresën dhe Besimin” nga cikli -Dialektika e Mendimit-
***
“Nëse ne do të pranojmë vetëm ato që mund të vertetojmë atëherë nuk do të mund të ecim dot përpara. Pragmatizmi, skematika dhe arsyeja racionale janë frenetike më tepër se realiste. Shpesh herë na duhet të besojmë tek vullneti, imagjinata dhe tek ajo energji levizëse e përtej heshtjes së madhe”
“Njeriu dhe elitarizmi i kohëve moderne” nga cikli -Dialektika e Mendimit-
***
“…Pa qenë i lirë në mendime nuk mund të jesh i lirë në asnjë veprimtari tjetër. Madje, as vullneti nuk është i lirë kur nuk është i tillë mendimi…”
“Mbi Shpresën dhe Besimin” nga cikli -Dialektika e Mendimit-
***
“Edhe pse pa peshë dhe formë mendimet janë elementët më të rëndë të jetës tonë. Pesha e tyre, e pakontrolluar ose e pamasë, mund të bëhet aq e madhe sa të zërë përfund e të shtypë edhe vetë qënien. Të atilla veti skllavëruese saknë saqë do i lakmonte çdo sundimtar. Shpërthimet e tyre sakrifikojnë edhe lirinë tonë…”
“Vullneti dhe Mendimi” nga cikli -Dialektika e Mendimit-
***
Kemi aq shumë “pak” sa jemi të mbytur në të. Kjo sjell që të jemi të dëshiruar për pak “shumë”. Gjithmonë ne shqiptarët pak kemi patur lirinë, lëvizjen, dëshirat, ëndrrat, horizontin që na kanë lënë, qiellin dhe diellin, ekonominë, territorin dhe mbi të gjitha njëri-tjetrin.
Ajo pak “shumë” ka qenë gjithnjë e huaj për ne. Mos vallë ka ardhur koha që pas dekadash e shekujsh të tërë të mbërthyer nga kjo e mallkuar “pak” të shpëtojmë dhe të hedhim sytë nga ajo “shumë” që siç ka qenë për të gjithë të tjerët deri më sot të jetë edhe për ne?!”
“Mbi arsyen, mendimin dhe kohën” nga cikli -Dialektika e Mendimit –