Sali Berisha zyrtarisht i pandehur

Lideri demokrat Sali Berisha ka dalë pas disa minutash nga Prokuroria e Posaçme, ku mësoi nga prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai se është zyrtarisht i pandehur.

Ai akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal dhe që ka një marzh dënimi nga katër deri në dymbëdhjetë vjet burgim.

Kreu i Partisë Demokratike ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest shtëpie” që nga 30 dhjetori i vitit 2023 në funksion të procedimit penal nr.287/2020 njohur ndryshe në publik si dosja e ” ish Klubit Partizani”.

Pritet që në vijim çështja të kalojë për gjykim por paraprakisht gjykatësi i hetimeve paraprake do të shqyrtojë kërkesat e palëve nëse duhet kaluar për gjykim apo çështja të kthehet për thellimin e hetimeve duke lënë detyra konkrete për prokurorinë.

Nëse pala e akuzuar pranon të gjykohet me aktet e prokurorisë, çështja i kalon sekretarisë për tu rishortuar trupa e cila do të gjykojë çështjen dhe do të shprehet për fajësi apo pafajësi.

Shpërndaje