NYT|Republikanët nuk duan të flasin për 6 Janarin. Trump nuk i shpëton dot ngjarjes.

Kur moderatori i debatit presidencial e pyeti Donald J. Trump për ngjarjet e 6 Janarit 2021, ish-presidenti kaloi menjëherë në një version të ri të historisë së sulmit mbi Kapitol. Ai pretendoi në mënyrë të rreme se nuk kishte asnjë lidhje me sulmin, duke ia vënë fajin ish-Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, dhe oficerëve të policisë që mbrojtën ndërtesën atë ditë nga një turmë mbështetësve të tij.

Më tej, Trump bëri një koment të shkurtër por domethënës: Ai përdori përemrin “ne” për të përshkruar disa nga protestuesit, duke e vendosur veten gramatikisht mes atyre që janë akuzuar për hyrjen në Kapitol.

“Ne nuk bëmë -” filloi të thoshte Trump.

Për vite me radhë, Trump ka ndihmuar në krijimin e një historie alternative për atë ditë, ku sulmi i dhunshëm ishte një “festë e burgosurve” dhe ndjekja e tyre penale ishte pjesë e një historie të madhe përndjekjeje, si për Trump ashtu edhe për mbështetësit e tij.

Por, ndërsa ai kërkon tërheqjen e votuesve përtej atyre besnik, fushata e tij ka ndërmarrë një përpjekje të sikletshme për të balancuar përfshirjen në trazirat. Një regjistrim i të burgosurve të 6 Janarit që këndonin himnin kombëtar nuk luhet më në mitingjet e tij. Kur disa të pandehur, përfshirë një burrë që prokurorët federalë e përshkruan si një “supremacist i bardhë dhe simpatizant nazist,” u mblodhën në klubin e golfit të Donald Trump në Bedminster për një mbledhje fondesh, ish-presidenti, i cili kishte marrë pjesë në ngjarje të ngjashme, dërgoi mbështetjen e tij me një videomesazh në vend që të ishte i pranishëm vetë.

“Zemrat tona janë me ju,” tha zoti Trump në video. “Shpirti ynë është me ju.”

Marrëdhënia e ish-presidentit me çështjen e 6 Janarit, sa afër aq edhe larg ngjarjes, është një pranim i heshtur i lidhjes së tij personale me një çështje që ka përfitime politike të diskutueshme, si dhe ndarjes së thellë partiake të vendit mbi trazirat në Kapitol.

Një ndarje që kryesisht është krijuar nga vetë Trump.

“Ata kanë bërë një përpjekje të vetëdijshme për t’u larguar nga 6 Janari” para zgjedhjeve të përgjithshme, tha Joseph McBride, një avokat që ka përfaqësuar disa nga të pandehurit e 6 Janarit. “Por nuk e di se si ai do t’i harmonizojë këto dy pozicione.”

 

Rishkrimi i ngjarjes

Rishkrimi i 6 Janarit filloi me një grup politikanësh të krahut të djathtë, figurash mediatike dhe aktivistësh, menjëherë pas sulmit në Kapitol, kur vetë Trump ishte kryesisht jashtë vëmendjes. Por kur ai u rikthye në politikë, në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2022, ish-presidenti e kapi këtë narrativë dhe eventualisht e shndërroi atë në një pikë të fortë për ndërtimin e bazës së tij në fushatën presidenciale.

Që atëherë, Trump ka pohuar vazhdimisht se nuk ka bërë asgjë të gabuar atë ditë, duke theksuar se u tha mbështetësve të tij që të grumbulloheshin “në mënyrë paqësore dhe patriotike,” dhe se ata që hynë në Kapitol ishin thjesht demonstrues paqësorë. Më herët, ai ka dënuar trajtimin e të pandehurve të 6 Janarit që janë në burg, të atyre që janë duke pritur gjyqin ose duke vuajtur dënimin, për veprën penale sulm ndaj oficerëve të policisë. Ai në mënyrë të vazhduar i ka përshkruar ata si “pengje” dhe “të burgosur politikë,” dhe herë pas here si “luftëtarë” që janë ndjekur penalisht në mënyrë të padrejtë dhe më ashpër sesa aktivistët e krahut të majtë të BLM që morën pjesë në protestat dhe trazirat në qytete si Minneapolis, Portland, Oregon, në vitin 2020.

Por gjyqtarët federalë, përfshirë disa të emëruar nga vetë Trump, e kanë hedhur poshtë vazhdimisht këtë argument duke theksuar se kishte dallime të qarta midis trazirave të dhunshme të vitit 2020 dhe shpërthimit të procesit demokratik që ndodhi në Kapitol.

“Veprimet e protestuesve në Portland, megjithëse serioze, nuk synuan shkeljen e ndonjë dispozite të parashikuar nga Kushtetuta dhe të krijuar për të siguruar një kalim të qetë të pushtetit,” shkroi Carl J. Nichols, një gjyqtar federal i emëruar nga Trump në Distriktin e Kolumbisë.

Donald Trump ka pretenduar se ndjekjet penale ndaj protestuesve dhe ndaj tij vetë, nga këshilltari special Jack Smith, janë pjesë e një konspiracioni të gjerë nga administrata Biden dhe “deep state”. Sipas tij, është një përpjekje për të mos i dhënë përgjigje pyetjeve në lidhje me zgjedhjet e vitit 2020 dhe për ta skualifikuar atë paraprakisht nga marrja e detyrës përsëri në 2025.

“Është një lëvizje retorike që inkurajon mbështetësit të shohin veten si partnerë në persekutimin e Donald Trump”. Gjithashtu, ekspertët ligjorë shprehin shqetësimin se themelet ideologjike që po hedh sot Donald Trump, do të jenë nesër justifikimi në përdorimin e Departamentit të Drejtësisë kundër armiqve të tij nëse rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

“Nëse ai mund t’i bindë njerëzit për gënjeshtrën se institucionet tona legjitime qeveritare janë përdorur në mënyrë të korruptuar për ta persekutuar atë, ai do t’i përdorë institucionet kundër atyre që pretendon se janë përgjegjës për këtë,” tha Ian Bassin, drejtori ekzekutiv i Protect Democracy, një organizatë jopartiake që advokon për mbrojtje ligjore kundër autoritarizmit.

Më herët, në qershor të këtij viti, Trump i bëri thirrje administratës së Biden që “të lirojë pengjet” dhe premtoi se do t’i falë ata nëse zgjidhet.

“Në momentin që fitojmë, do të rishikojmë me shpejtësi rastet e çdo të burgosuri politik të viktimizuar padrejtësisht nga regjimi Biden-Harris dhe unë do të firmos faljet e tyre që në ditën e parë si president,” shkroi ai këtë muaj në rrjetet sociale.

“Presidenti Trump mbetet i përkushtuar për të siguruar drejtësi të barabartë për të gjithë amerikanët kur të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë,” tha Karoline Leavitt, një zëdhënëse e fushatës.

 

“Mashtrim Politik”

Në ditët pas trazirave në Kapitol, shumë persona, madje edhe republikanë, mendonin se dhuna ndaj institucioneve do të rezultonte shkatërruese për Donald Trump dhe të ardhmen e tij politike.

Opinioni publik për 6 Janarin dhe rolin e Trump ka qenë i ndarë sipas linjave partiake dhe ka ndryshuar shumë pak me kalimin e kohës. Madje, seancat e transmetuara të Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për 6 Janarin, të cilat tërhoqën një audiencë gati 20 milionë shikuesish, pothuajse nuk patën asnjë ndikim në pikëpamjet e amerikanëve për episodin, përfundim ky i dalë nga një sondazh i Universitetit Monmouth.

Një sondazh i CBS News/YouGov, i bërë këtë vit, tregoi se republikanët janë në përgjithësi mbështetës të faljes së protestuesve, megjithëse shumica gjithashtu kanë shprehur pakënaqësi ndaj veprimeve të tyre në Kapitol. Por, është e rëndësishme të theksohet se votuesit republikanë, në sondazhe janë shprehur se preferojnë të mos flasin për këtë episod.

Një sondazh tjetër i CBS News/YouGov i bërë në fillim të garës për primaret republikane të vitit të kaluar, zbuloi se një shumicë e madhe e votuesve të mundshëm republikanë, rreth 60%, donin një kandidat presidencial që nuk do të komentonte aspak mbi 6 Janarin, përpara se të mbështeste ose të kritikonte protestuesit.

“6 Janari është një çështje që ngjall emocionet e bazës dhe kjo është arsyeja pse të gjithë vazhdojnë ta përmendin,” tha Julie Kelly, një gazetare dhe aktiviste që ka mbështetur prej kohësh të akuzuarit dhe familjet e tyre.

Pavarësit se demokratët janë të prirur ta shohin revoltën e 6 Janarit si të rëndë e me pasoja, si dhe përpjekjet e fushatës së Presidentit Biden për të përqendruar garën në tentativën e Trump për të nëpërkëmbur demokracinë, nuk arritën të kthenin votuesit kundër ish-presidentit. Ndërsa nënkryetarja dhe kandidatja për president Kamala Harris i ka dhënë më pak kohë në këtë linjë sulmi.

Përkrahësit më të zjarrtë të të akuzuarve për 6 Janarin mbeten një grup i vogël të ekstremit të djathtë. Ata mbajnë vigjilje të rregullta jashtë burgut në Washington, D.C., ku disa nga protestuesit ende po presin gjykimin. Ata kanë disa mbështetës të dedikuar në politikën republikane që vazhdojnë të nxjerrin në pah kauzën e tyre, më e njohura prej të cilëve është kongresmenja nga Georgia, Marjorie Taylor Greene, e cila mbajti këtë javë në Washington një fjalë mbi këtë temë.

Gjatë primarëve, Donald Trump e ka mbështetur këtë grupim. Vitin e kaluar, ai ftoi anëtarë të familjeve të të akuzuarve për 6 janar në darkë në Mar-a-Lago, rezidencën e tij private në Palm Beach të Floridas dhe organizoi një festë në fushën e golfit. Donald Trump hapi mitingun e tij të parë të fushatës në Waco, Texas, në mars 2023, me “Drejtësi për të gjithë”: një regjistrim të të akuzuarve për 6 Janar që këndojnë himnin kombëtar përmes një linje telefoni në burg ndërsa Trump lexon Preambulën e Besëlidhjes, që u prodhua nga operativë të afërt të fushatës së tij.

Në qershor, Fondi Patriot i Lirisë, një grup i njohur për mbrojtjen ligjore të 6 Janarit organizoi një tubim në fushën e golfit të Trump në Bedminster, ku u mbajtën fjalime nga të akuzuarit, duke përfshirë Timothy Hale-Cusanelli, një pjesëmarrës i dënuar në trazira që është i njohur se mban mustaqe si të Hitlerit dhe ka postuar deklarata antisemitike në mediat sociale. Në këtë rast, Trump dërgoi një videomesazh për grupin, pasi nuk mundi të marrë pjesë personalisht.

Dy muaj më vonë, Phyllis Schlafly i “Eagle Council” organizoi një tjetër takim në Bedminster, përsëri duke paraqitur zotin Hale-Cusanelli dhe aktivistë të tjerë të 6 Janarit. Donald Trump, i cili ishte aty pranë për një konferencë shtypi atë ditë, nuk u takua me ta.

Në fund, stafi i tij largoi pjesëmarrësit e 6 Janarit nga ambientet për të bërë vend për prezantimin e Donald Trump mbi inflacionin. Stafi i fushatës tha se në të dy rastet, grupet kishin paguar për të marrë me qira hapësirën e ngjarjes në Bedminster dhe se Trump nuk ishte në dijeni që zoti Hale-Cusanelli do të merrte pjesë. Në lidhje me pikëpamjet e zotit Hale-Cusanelli, znj. Leavitt, zëdhënësja e fushatës, tha: “Presidenti Trump dënon urrejtjen dhe përbuzjen e çdo lloji dhe nuk bie dakord me këto deklarata.”

Në Konventën Kombëtare Republikane të korrikut, 6 Janari u përmend vetëm nga një folës: ish-ndihmësi i Trump, Peter Navarro, i cili ishte liruar atë mëngjes pas izolimit katër mujor në burg për shkak të refuzimit të një thirrjeje nga Komiteti i Dhomës së Përfaqësuesve ngritur për ngjarjen e 6 Janarit. Z.McBride, avokati tij, tha se para konventës, kishte kontaktuar një grup njerëzish që i përshkruante si “një telefonatë larg” nga Trump, në përpjekje për të bindur ish-presidentin të kishte një folës në konventë që mund të fliste për fatin e protestuesve. Por kjo nuk ndodhi, tha z.McBride, kryesisht sepse këshilltarët e fushatës së Trumpit nuk donin që ngjarja të përqendrohej shumë në sulmin ndaj Kapitolit.

“6 Janari ka qenë gjithmonë një çështje që njerëzit më me përvojë të fushatës së Trumpit e kanë mbajtur të kontrolluar,” tha ai. “Dhe se tashmë ata nuk duan të tërheqin më vëmendje ndaj kësaj çështje.”

Shpërndaje